Presidenti në proces shkarkimi nga parlamenti, Ilir Meta ka nisur ditën e martë me një video ku shfaqet Enver Hoxha dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Përmes kësaj video mesa duket presidenti ka dashur të bëjë ironi me qeverinë dhe me numërimin e votave.
“Forca numëruesve, si një trup i bashkuar drejt tejkalimeve të reja! Nga fitorja në fitorje! Destinacioni dihet”, shkruan Meta në facebook.
Presidenti i cili në bazë të kushtetutës duhet të qëndrojë mbi palët, por në rastin konkret Meta është pozicionuar qartazi kundër qeverisë dhe çdo ditë po i bën asaj opozitë më shumë sesa opozita e vërtetë.
Por përveç sulmeve ndaj qeverisë, presidenti doli hapur të hënën në mbrëmje edhe kundër SHBA-së. Pasi ambasada publikoi një deklaratë zyrtare përmes të cilës i cilësonte zgjedhjet e 30 qershorit të lira dhe të ndershme dhe bënte thirrje që politikanët t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për çdo pikëpamje ndryshe, presidenti Meta reagoi ashpër duke postuar një status të Ylli Manjanit. Kujtojmë që Manjani ka qenë ministër Drejtësie dhe është përfaqësues i lartë i LSI-së. Ai u lagua nga qeveria pas përplasjeve që pati me Ramën.
Në këtë status Manjani shkruante se SHBA “ia ka futur kot fare, siç ka bërë gjithmonë”. Dhe pikërisht me të gjuhë zgjodhi dhe presidenti t’i kundërpërgjigjej SHBA-së.
Kujtojmë se faktori ndërkombëtarë dhe veçanërisht SHBA këmbënguli që zgjedhjet të zhvillohen në datën 30 qershor, duke i zhvlerësuar dy dekretet e tjera të Metës. Mesa duket kjo është edhe hakmarrja e presidentit, i cili tani më shumë se kurrë ngjan me një kryetar partie.