Pastrim parash? Sekuestrohen pasuri, biznes dhe 97 makina në Shkodër

AKTUALITET


Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Shkodrës vendosi sekuestrimin e pasurisë të A.Gjolaj dhe të afërmve të tij, pas dyshimeve se burojnë nga aktiviteti kriminal. Bëhet fjalë për një shoqëri tregtare, 97 makina, e pasuri të paluajtshme.

“Më datë 16.04.2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka vendosur sekuestrimin e pasurive të shtetasit A. Gjolaj, si dhe personave të lidhur me të. Konkretisht, janë sekuestruar: Shoqëria tregtare “B.M” SHPK, me Nipt: K68404706Q; Pasuritë e paluajtshme në pronësi të shoqërisë “B.M” SHPK, konkretisht, pasuria nr. 1155/8 ND2+N2, vol.28, fq.58, ZK.2105, Show Room, me sipërfaqe 199 m2; pasuria nr.1345/1, vol.10, fq.176, ZK.2221 indeks harte k-34-63 (95-D), adresa Koplik i sipërm, Rr.1, Malësi e Madhe dhe pasuria nr.37/4, vol.6, fq.69, ZK.1977; 97 automjete në pronësi të shoqërisë “B.M” Shpk; Gjendja aktuale në të gjitha llogaritë bankare (llogari rrjedhëse/depozita) në të gjithë bankat e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë në emër të shtetasit A. Gjolaj, shtetases S.Gj, si dhe të shoqërisë “B.M” SHPK”.


Në njoftimin për mediat, thuhet se Gjolaj është nën hetim pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.

“…rezulton se shtetasi A. Gjolaj, ka dyshime se merret me kontrabandimin dhe tregtimin e mallrave kontrabandë si dhe është evidentuar si pjesëmarrës në grup kriminal që merret me trafikimin e lëndëve narkotike. Ky shtetas së bashku me dy vëllezërit e tij janë hetuar disa herë nga autoritet shqiptare madje edhe janë dënuar për vepra penale të ndryshme (kontrabandë, tregtim mallrash kontrabandë etj). Referuar të dhënave të grumbulluara deri tani, Policia Gjyqësore ka dyshime të arsyeshme se pasuritë e shtetasit A.Gjolaj dhe familjarëve të tij nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhura të ligjshme. Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka regjistruar edhe procedimin penal nr. 1372/2020 për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, pas referimit nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, e cila është vënë në dijeni nga Zyra Kombëtare Interpol Tirana, se autoritetet e Malit të Zi kanë qenë duke hetuar shtetasen shqiptare S.Gj, subjekt i lidhur me shtetasin A.Gj, pasi më datë 12.04.2018, ajo ka nënshkruar një kontratë për blerjen e një jahti luksoz me vlerë 300,000 (treqind mijë) euro nga shtetasi malazez S.J, i përfshirë në veprimtari kriminale dhe pastrim parash”.




Skip to toolbar