“Pastrimi i zhulit”, Rama: Pas kryetarëve revolucionarë, nga bashkitë ikën dhe “kokat e mëdha”

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook, disa foto nga aksioni për pastrimin qyteteve dhe fshatrave në bashki të ndryshme të vendit, pas betimit të kryebashkiakëve të rinj të PS. Rama ka zgjedhur foto nga puna që është bërë në bashkitë e Vaut të Dejës, Përmetit, Matit dhe Selenicës, të cilat më parë drejtoheshin nga kryebashkiakë të opozitës. Rama e quan këtë “punë për heqjen e zhullit dhe plehrave”, ku pas largimit të kryebashkiakëve “revolucionarë”, punëtorët e pastrimit janë rikthyer në punë, dhe s`paguhen më si turistë politikë.


“Vau i Dejës, Përmet, Mat, Selenicë – Vijon papushim heqja e zhulit, plehrave e ferrave nga territoret, ku pas largimit të kryebashkiakëve revolucionarë, punonjësit e pastrimit nuk paguhen më si turistë politikë, për të mbushur radhët e protestave antishtet në Tiranë, po janë kthyer në punën e tyre në shërbim të komuniteteve”, shkruan ndër të tjera Rama.

Më tej, ai vijon duke shkruar se deri më tani nuk është larguar asnjë punonjës nga puna, në bashkitë që më parë drejtoheshin nga PD dhe LSI. Të larguarit e vetëm sipas Ramës janë të dorëhequrit, ndërsa tregon edhe rastet se kush punonjës do largohet në të ardhmen.

“E meqë ra fjala, deri tani askush s’është larguar nga puna në ish-bashkitë e djathta (përveç ca kokave të mëdha e të pagdhendura politike, që kanë ikur me dorëheqje) dhe do të largohet vetëm kush nuk do të dojë t’i futet punës; në 30 qershor Shqipëria nuk votoi për të majtën po për TE DREJTEN dhe unë do të bëj çmos që askujt të mos i mohohet padrejtësisht, e drejta për të treguar se e do dhe e bën si duhet, punën që ka”, përfundon Rama.