PD e Shkodrës, letër SHBA dhe BE: Të rrijë dhe pak Voltana

AKTUALITET


Bashkia Shkodër, bastioni i fundit i PD-së, pritet të “rrëzohet” shumë shpejt me betimin e kryebashkiakut të ri, Valdrin Pjetri. Këtë e ka kuptuar edhe Voltana Ademi, e cila paraditen e së enjtes paralajmëroi kapitulimin, duke iu drejtuar mbështetësve të vet se tashmë e vetmja rrugë kanë mbetur gjykatat. Ndërsa disa orë më vonë qëndrimin tërheqës e ka konfirmuar edhe dega e Partisë Demokratike në Shkodër, e cila ka nisur një letër duke “përdorur” qytetarët e saj, që i drejtohet për ndihmë ndërkombëtarëve me një gjuhë thuajse lutëse që të mbajnë edhe pak Voltanën në krye të bashkisë. Konkretisht, PD Shkodër ka kërkuar që kryetari i zgjedhur i Bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri mos të betohet derisa të vijë një përgjigje për akuzat që vetë PD ka ngritur ndaj tij, ku pretendon se ai është ndaluar nga policia italiane në vitet 2001-2002.

Në një letër pa firmë dhe vulë, që PD e Shkodër ka shpërndarë për mediat, ka deklaruar se qytetarët shkodranë u kanë kërkuar ambasadorëve të SHBA dhe BE të “ushtrojnë presion te Rama për të mos konstituuar këshillin e ri bashkiak, deri sa Italia të kthejë përgjigje”.

 “Kërkojmë prej jush të ushtroni presion si mjeti i vetëm që funksionon mbi qeverinë e Edi Ramës, që një njeri i akuzuar për shkelje të rëndë të ligjit, i akuzuar për precedent kriminal, të mos kostituohet si kryetar i Bashkisë së Shkodrës me datë 15 gusht, kjo, derisa shteti italian të përgjigjet zyrtarisht për akuzat ndaj zotit Valdrin Pjetri! Kështu ndihmojmë edhe vetë zotin Pjetri sot, për të mos e shpallur “non grata” në Bashkinë e Shkodrës nesër.”- shkruhet në letër

Në fakt në gjuhën e përdorur “nga qytetarët” në letër duket se dhe ato janë “infektuar” nga fjalori i kryedemokratit Basha dhe Voltana Ademit, të cilët gjithashtu flasin për 6 % e qytetarëve që votuan dhe se sa të turpshme ishin zgjedhjet e 30 qershorit, zgjedhje që në fakt u njohën me ligj nga Kolegji Zgjedhor dhe nga i gjithë faktori ndërkombëtar.

E vetmja shpresë sot për shqiptarët e cfilitur, të vjedhur, të mashtruar, mbeten SHBA-të, dhe Europa demokratike! Me 30 qershor në Shkodër nuk pati zgjedhje por votime nga më të turpshmet e të paimagjinueshmet! Megjithatë kaq e madhe ishte diferenca ndërmjet vullnetit qytetar dhe rezultatit, saqë kandidati monist mori vetëm 6% të votave të njerëzve të administratës, te të joshurëve dhe të kërcënuarve!”.- thuhet në letër

Voltana duket se i ka ulur kryet dhe e ka kuptuar se nuk mund të mbajë dot me dhunë zyrën e bashkisë, në një kohë kur edhe ligji edhe gjykatat e vendit kanë folur në favor të 30 qershorit, që konsiderohen nul nga opozita jashtëparlamentare. Në mungesë të mbështetjes së Bashës, por dhe figurave të Partisë Demokratike për të mbajtur bashkisë, siç u pa në rastin e Kamzës, duket se Voltana i ka kthyer shpresat e saj nga “lutjet” e vetë shkodranëve.



Skip to toolbar