PD i bën ‘avokatin’ Metës te Komisioni i Venecias (por 13 tetorin nuk e njeh)

AKTUALITET


Oerd Bylykbashi dhe Klajda Gjosha kanë zhvilluar një takim me delegacionin e Komisionit të Venecias, që ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Takimi nisi rreth orës 08:00 të mëngjesit dhe ka zgjatur rreth 55 minuta. Pas mbledhjes, ku është diskutuar për shkarkimin e Ilir Metës nga Kuvendi, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, nuk ka treguar detaje nga biseda me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias. Megjithatë, në deklaratën për mediat, Bylykbashi la të kuptohet se para juristëve të Venecias, ka bërë ‘mbrojtjen’ e Metës.

“Kushtetuta është mjaftë e qartë; Presidenti i Republikës shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese. Presidenti është përpjekur të garantojë unitetin e popullit dhe pluralizmin në vend. Kjo është detyrë fisnike. Presidenti i  dha garancinë shqiptarëve që zgjedhjet të bëheshin në një moment të dytë. Ne bëm të qartë dhe aspektin politik, pse kemi ardhur në këtë situatë. Raporti i ODIHR ësthë lajmërim i vdekjes së zgjedhjeve në Shqipëri”, tha ndër të tjera Bylykbashi.

Megjithatë, ndonëse opozita përpiqet të mbrojë Metën, në fakt, Partia Demokratike nuk e kanë njohur dekretin e 13 tetorit. Pra, edhe pse Bylykbashi shprehet se ‘presidenti u dha mundësi shqiptarëve që zgjedhjet të bëheshin në një moment të dytë’, partia e tij nuk e ka njohur këtë vendim të kreut të shtetit, që tashmë e mbron përpara Komisionit të Venecias.

Ndërkohë, Klajda Gjosha, që ishte së bashku me Bylykbashin në takim me delegacionin e Komisionit të Venecias, u shpreh se mazhoranca duhej t`i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për veprimet e Metës. “Sot diskutuam mbi një çështje që është e paprecedentë. Në këtë moment, ku qeveria do duhej të fokusohej për plotësimin e kushteve për negociatat, merremi me një çështje që është mjaftë e rëndë për imazhin e vendit. Për mua është për të mbuluar gjithçka që shkon keq në qeverisje. Raporti i OSBE/ODIHR tregon se zgjedhjet në Shqipëri janë pa standarde. Kush ka pasur pikëpyetje për veprimet e presidentit do duhej t`i drejtohej Gjykatës Kushtetuese”, tha Gjosha.



Skip to toolbar