PD merr në mbrojtje Metën, Bardhi: Shkarkimi telenovelë e Ramës

AKTUALITET


Partia Demokratike del hapur në mbrojtje të Presidentit Ilir Meta, duke e quajtur “telenovelë vere të Edi Ramës”, ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij. Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi ka bërë një deklaratë në rrjetin e tij social, ku i del hapur në mbrojtje Ilir Metës, duke i cilësuar veprimet e kreut të shtetit si “kompetencë kushtetuese”.

“Për të mbuluar vjedhjen e shqiptarëve, vjedhjen e votës, vjedhjen e taksave, vjedhjen e pasurive, Edi Rama ka nisur shfaqjen për herë te parë te telenovelës “Parlamenti i krimit kundër Presidentit”, ku vetë është regjisor, vetë skenarist, vetë producent, vete aktor. Edi Rama e ka të qartë se telenovela me shkarkim presidenti është vetëm nje sajesë vere dhe abuzim me fondet publike”.

“Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje, por ka ushtruar kompetencën e tij kushtetuese për t’u garantuar qytetarëve të drejtën për të zgjedhur në një sistem demokratik dhe pluralist. Duke shfaqur telenovelën bajate, me aktorë kryesorë personazhet e dosjeve 184 dhe 339 të blerjes së zgjedhjeve me krimin, Edi Rama do që të mos flitet për krimet e tij ndaj shqiptarëve”, shkruan ndër të tjera numri dy i PD-së.

Po, a është kompetencë kushtetuese vendimi për të çdekretuar një dekret? Sigurisht që Bardhi e di mirë që nuk është kompetencë kushtetuese një gjë e tillë, pasi është jurist. Dhe në Kushtetutë nuk ka një nen ku theksohet se “Presidenti mund të anulojë dekret që nxjerr vetë”. Megjithatë, Gazmend Bardhi vijon duke u shprehur në fund të tij se “votimet moniste të 30 qershorit, siç shprehet edhe OSBE/ODIHR, u mbajtën pa e marrë fare në konsideratë intersin e qytetarëve”, shkruan sekretari i PD-së.



Skip to toolbar