PD në superxhiro për Valdrinin, kërkon sekuestro pa ardhur dosja italiane

POLITIKË


Partisë Demokratike nuk i pritet sa të vijë përgjigjja nga Italia për kryetarin e zgjedhur të Bashkisë Shkodër, që të vërtetohet denoncimi i tyre, por kërkon që pa ardhur dokumentet, Valdrin Pjetri të japë dorëheqjen, të dënohet e t’i sekuestrohet pasuria.

E dështuar me kauzat politike të ngritura nga Basha që nga muaji shkurt, PD ka nxjerrë Çlirim Gjatën për të kërkuar që Valdrin Pjetrit t’i sekuestrohet pasuria për shkak të dënimit në Itali, megjithëse ende nuk ka thënë fjalën e vet prokuroria.


“Pse nuk vepron Ligji Antimafia ndaj pasurive të drogës së Valdrin Pjetrit? Pse i besuari i tij në Shkodër ka imunitet mbi ligjin? Pse nuk vepron prokuroria? Pse Operacioni “Forca e Ligjit”, që duhej të sekuestronte pasuritë e paligjshme  është shndërruar në operacionin “Forca e krimit”?”, ishin pyetjet që ngriti juristi Çlirim Gjata nga foltorja e selisë blu, e duke akuzuar se përgjigjen lidhen drejtpërsëdrejti me planin e Edi Ramës për të përdorur trafikantin e drogës derisa në mënyrë të paligjshme të marrë drejtimin e Bashkisë së Shkodrës.

Megjithatë, sipas Kodit të Procedurës Penale, prokuroria duhet të presë përgjigje nga Italia për akuzat e PD dhe nëse ato rezultojnë të vërteta, ashtu siç është e bindur opozita, atëherë, Valdrini do të ndiqet penalisht për deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit.

Po ashtu këto dokumente që pritet të vijnë nga Italia mund të përbëjnë indicie që prokuroria të hapë hetim për pastrim parash dhe të sekuestrojë asete të përfituara nga veprimtaritë kriminale. Por, këto veprime nuk mund të kryhen nga prokuroria derisa të kenë në dorë dosjen e prokurorisë italiane. Megjithatë, PD-së nuk i pritet derisa të vijë dosja, kështu që kërkon që edhe hetimi edhe dënimi të bëhet pa pasur nevojë për vendime gjykate.




Skip to toolbar