PD padit 30 qershorin: 7 shkelje dhe 9 akuza

Më të fundit


Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht në prokurori zgjedhjet e 30 qershorit, duke kërkuar hetim për anëtarët e KQZ, komisionerët e PS dhe zyrtarët e lartë për veprimet e kryera gjatë gjithë procesit zgjedhor, ndërsa ka sulmuar kryeprokuroren Arta Marku, duke i kërkuar të mos pengojë hetimet për krimet elektorale, duke treguar që në fillim mosbesimin që ka ndaj hetimeve. Duke ndryshuar taktikë, opozita, pasi u tërhoq nga moslejimi i zgjedhjeve më 30 qershor, po ashtu ka lënë mënjanë tezën se 30 qershori është nul dhe tashmë po kërkon që ta rrëzojë në rrugë ligjore.

Nëpërmjet një letre të datës 12 Korrik, për të cilën është vënë në dijeni edhe shefja e Misionit të ODIHR, Audrey Glover, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi vë në dukje se organi i akuzës në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm nuk po heton seriozisht dosjet e vjetra 184/2016 dhe 339/2017, por nuk ka nisur asnjë hetim për asnjë prej shkeljeve të rënda ligjore që u konstatuan gjatë procesit antikushtetues të 30 Qershorit.


“Që prej emërimit tuaj antikushtetues si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, kontrolli i qeverisë mbi prokurorinë është çimentuar, duke sjellë, njëkohësisht, çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Gjatë drejtimit tuaj, asnjë zyrtar i lartë i qeverisë, asnjë politikan, asnjë funksionar i lartë publik nuk ka dalë para drejtësisë për krimin e korrupsionit apo të krimeve zgjedhore, megjithëse denoncimet publike kanë qenë me qindra.” thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.

Në kallëzimin e PD renditen 7 pika kyçe, që sipas opozitës rrëzojnë si të paligjshëm 30 qershorin. Sipas padisë së PD, shkeljet e kryera janë:

I. Moszbatimi i dekreteve të Presidentit me pasojë cenimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të zgjedhur.

II. Regjistrimi i Bindjes Demokratike në kundërshtim me ligjin.

III. Cenimi i të drejtës së opozitës për të marrë pjesë në administrimin e zgjedhjeve

IIII. Mashtrimi dhe manipulimi me të dhënat e pjesëmarrjes në votimet e 30 Qershorit.

V. Fletët e votimi “kontrabandë” për votimet në Bashkinë e Vaut të Dejës.

VI. Emërimi i komisionerëve në kundërshtim me ligjin nga ana e KQZ.

VII. Krimet zgjedhore në të gjithë territorin: blerja e votave, fshehtësia e votës, presioni në administratë etj.

PD shprehet të gjitha këto indicie janë të shpjeguara me detaje për shkeljet ligjore të konsumuara gjatë, para dhe pas 30 Qershorit. Ato përfshijnë 9 vepra penale dhe të gjitha bashkë dënohen nga 31-45 vjet burg.




Skip to toolbar