PD sulmon sërish prokurorinë: Bllokoi 3 denoncimet tona

POLITIKË


Partia Demokratike ka sulmuar Prokurorinë e Përgjithshme, ku e akuzon se nga ndaluar verifikimet për 3 rastet e bashkive në vend që janë denoncuar nga selia blu. PD tha se për të 3 rastet janë paraqitur dokumente e prova të pakundërshtueshme, por prokuroria zgjodhi të hesht dhe të mos bëjë asnjë veprim.

Me kontrollin e plotë mbi prokurorinë Edi Rama ka stopuar verifikimin e kriminelëve të tij në të paktën 3 bashki të vendit, për të cilët Partia Demokratike ka sjellë dokumente të pakundërshtueshëm. Megjithëse kanë kaluar disa javë nga denoncimi i tyre, kriminelët e Ramës vazhdojnë të drejtojnë bashkitë, vazhdojnë të mos përballen me drejtësinë për shkak të mosveprimit të prokurorisë.


Prej më shumë se 3 muajsh, Partia Demokratike ka referuar në prokurori krimin shtetëror të 30 Qershorit, rastet flagrante të blerjes së votave, presionit mbi administratën, shkeljen flagrante të ligjit nga komisionerët e të gjitha niveleve, manipulimin e votave në 30 Qershor, por organi i prokurorisë nuk ka bërë asnjë veprim.

Deri tani nuk ka asnjë procedim penal të regjistruar, nuk ka asnjë person të hetuar dhe nuk ka asnjë person të arrestuar.” tha Enkelejd Alibeaj gjatë një deklarate për mediat nga selia blu.

Alibeja fajësoi kryeministrin Rama që nuk lejon prokurorin të hetojë krimet elektorale dhe për këtë po del kundër Bundestagut, ku një nga 9 pikat e vendosura janë për vjedhjen e votave.

Hetimi i krimeve elektorale është një nga 9 kushtet e vendosura nga  Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave me Shqipërinë, por prokuroria hesht. Hajdutët e votave janë të paprekshëm. Ata nuk hetohen dhe nuk ndëshkohen, sepse i shërbejnë pushtetit të korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës.

Duke mos regjistruar zyrtarisht asnjë procedim penal që lidhet me zgjedhjet, Prokuroria ka zhvlerësuar edhe ODIHR-in, i cili thekson se ishte dëshmitar i rasteve të kërcënimit të votuesve dhe shkeljes së fshehtësisë së votës në qendrat e votimit.

Mosveprimi i prokurorisë për të ndëshkuar krimet zgjedhore që mbajnë në pushtet Edi Ramën, është treguesi më i qartë i mungesës së vullnetit politik të kryeministrit për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Edi Rama është pengesa e vetme që Shqipëria nuk bën dot zgjedhje si në Kosovë apo në vende të tjera, ku demokracia funksionon vërtet.” tha Alibeaj




Skip to toolbar