Pengmarrja zbardhi vrasjen në Don Bosko – Vëllezërit Beqiraj do vrisnin “Rrumin”, por shoferi i mori peng

AKTUALITET


Policia ka shkatërruar një grup kriminal në Durrës, duke vënë në pranga 15 persona.  Të arrestuarit janë të dyshuar për vrasje, teksa operacioni erdhi pas marrjes peng të dy vëllezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj në autostradën Tiranë- Durrës dy ditë më parë.

Mes të arrestuarve mësohet se është edhe Ilirjan Feci, si dhe Alban Hajdari.  Grupi kriminal dyshohet se kishte në shënjestër edhe Aleksandër Lahon, i njohur si ‘Rrumi i Shijakut’. Ky i fundit, për të parandaluar ngjarjen e rëndë, u bëri pritë dy vëllezërve në autostradë.

Sipas burimeve, mësohet se vëllezërit Beqiraj pas ngjarjes së ndodhur në autostradë, kanë bërë denoncim në Polici dhe kanë rrëfyer se janë pjesë e një grupi kriminal dhe që kishin për qëllim monitorimin e lëvizjeve të shtetasit Aleksandër Laho, apo i ashtuquajturi “Rrumit të Shijakut”.

Dy vëllezërit Beqiraj janë vënë në pranga nga policia pas rrëfimit të tyre për qëllimin e grupit kriminal ku bënin pjesë.

Dyshohet se ky grup kriminal është përfshirë në disa ngjarje në Tiranë dhe Durrës, dhe një prej tyre është ekzekutimi i Erion Çelës në 4 janar të këtij viti në Don Bosko.

Pak para se të vritej, viktima me origjinë nga Dibra dhe banues në Maminas, kishte qenë në tëvolinë me bashkëshorten e tij shtatzënë. Ajo ishte larguar nga lokali vetëm disa minuta para se autorët të zbraznin kallashnikovin mbi 35-vjeçarin.

Gjatë të shtënave me armë mbeti i plagosur vëllai i viktimës, Blerim Çela, 28 vjeç, daja i tij, Edmond Crroj, kamerieri i lokalit Azbi Selimaj 19 vjeç si edhe Arben Dani 46 vjeç.

35-vjeçari Erion Çela, kishte një dyqan ngjitur me lokalin ku ndodhi ngjarja, në të cilin shiste duhan.



Skip to toolbar