Presidenti Meta anuloi zgjedhjet e 30 qershorit për shkak se nuk merrte pjesë Basha e Kryemadhi ndërsa tani është gati të shkojë në zgjedhjet e 13 tetorit edhe pa Bashën dhe të zhvillojë atë që ai e ka kundërshtuar prej kohësh zgjedhje monopartiake. Në konferencën e së enjtes, presidenti Meta tha se ai nuk imponon askënd të marrë pjesë në zgjedhje dhe se në zgjedhje nuk shkohet me pahir, por me vullnet të lirë (i njëjti argument që përdorte dhe Rama para zgjedhjeve të 30 qershorit). Meta thotë se 13 tetori u jep mundësi partive të reja që të regjistrohen, por nuk thotë se cilat janë këto parti të reja.
“Presidenti nuk ka asnjë mundësi që t’i imponojë askujt pjesëmarrjen me pahir, merret pjesë me dëshirë dhe vullnet. Me siguri mund të them që në 13 tetor edhe sikur partitë e opozitës përsëri të vijojë me riorganizmet e tyre të brendshme dhe çështje të tjera, unë jam i sigurt dhe do të punoj që të paktën partitë e reja të kenë kohë të regjistrohen në mënyrë të ligjshme për kandidatë në 61 bashkitë që të kemi zgjedhje dhe jo votime”, tha Meta ku u pyet për qëndrimin e kreut të PD-së. Sipas tij, askush nuk i ndalon partitë të kthehen në OJQ, duke mos marrë pjesë në zgjedhje.
Kujtojmë se presidenti Meta dekretoi në 10 qershor anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor dhe argumenti i përdor prej tij ishte se Basha dhe Kryemadhi, pra opozita, nuk merrnin pjesë në zgjedhje dhe për t’i dhënë një shans të dytë opozitës ai dekretoi datën 13 tetor. Ndërsa tani Meta është i gatshëm t’i pranojë zgjedhjet e 13 tetorit edhe nëse Basha nuk merr pjesë në to.
Presidenti u përpoq të zhvlerësonte edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për 30 qershorin. Sipas tij edhe nëse Kushtetuesja rrëzon dekretin për 30 Qershorin, vendimi i pavlefshëm për shkak se vendimet e Gjykatës Kushtetuese vlejnë për të ardhmen dhe nuk kanë efekt prapaveprues.
“Askush nuk duhet të ketë iluzione se çdo vendim i Kushtetueses kur të bëhet funksionale mund të japë legjitimitet 30 Qershorit. Dekretet e Presidentit janë në fuqi. Çdo vendim i Kushtetueses për dekretet e Presidentit ka fuqi për të ardhmen dhe jo për të shkuarën, janë akoma në fuqi dhe nuk e kthejnë më 30 Qershorin e këtij viti”, është shprehur Meta duke bërë kështu edhe një interpretim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij “13 Tetori është e vetmja datë Kushtetuese për zgjedhje vendore në Shqipëri. Përgjegjësinë për këtë e kam marrë unë. Gjykata Kushtetuese nuk ka mundësi të legjitimojë 30 Qershorin, pas e ka të pamundur, pasi dekreti ka qenë në fuqi dhe 30 qershori ka ikur. Ajo mund të bëjë interpretimin si duhet apo mund të veprojë, dhe kjo ka efekt për të ardhmen”, tha Meta.
Gjatë fjalës së tij presidenti përsëriti edhe një propozimin e vjetër për të zhvilluar 3 procese zgjedhore në 13 tetor si e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën dhe për të garantuar çeljen e negociatave me BE-në në tetor të këtij viti. Ai i bëri thirrje Ramës që të reflektojë dhe të takohet në çdo moment që ka dëshirë me të.
Kujtojmë se edhe ky propozim i Metës është antikushtetues njëlloj si dekreti i tij për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor. Vendimi është dhënë nga Kolegji Zgjedhor. Në argumentet e tij ai e cilëson nul dekretin e presidentit për 30 qershorin dhe aty rrëzohet edhe 13 tetori për shkak se vendimi i marrë nga presidenti është në kapërcim të afateve kushtetuese si dhe në kundërshtim me kompetencat e dhëna nga Kushtetuta. Dekretet që firmosen në kundërshtim të hapur me kushtetutën quhen nul dhe nuk kanë asnjë fuqi ligjore. Ndërkohë që faktori ndërkombëtar i ka njohur zgjedhjet e 30 qershorit. Përsa i përket 13 tetorit Meta nuk ka as mbështetjen e Bashës, për të cilin u fut në “vallen” e paligjshmërisë dhe shkeljes së kushtetutës dhe për këtë shkak po shkarkohet nga kuvendi, i cili për herë të parë në historinë e Shqipërisë do të votojë shkarkimin e një presidenti./Realstory.al