Përfundojnë 7 urat, gati të hapet autostrada Kukës-Morinë

AKTUALITET


Për pak ditë do të jetë funksionale dhe karrexhata e re e autostradës Kukës-Morinë. Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato ka inspektuar punimet në 7 urat e ndërtuarat, të cilat kishin mbetur pa përfunduar prej vitesh. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, ARRSH njofton se rruga do të jetë gati për qarkullimin e mjeteve pas pak ditësh, ndërkohë që po punohet për përfundimin e sinjalistikës, pasi çdo proces tjetër pune është mbyllur.

“Shumë shpejt hapet e plotë rruga Kukës-Morinë. Drejtoresha e ARRSH-së inspektoi nga afër ecurinë e punimeve të 7 urave (Viadukteve)  të ndërtuara tashmë në rrugën kombëtare Kukes-Morinë pak ditë përpara hapjes për trafik. ARRSH dhe Kontraktori po punojnë të organizuar në këtë vepër madhore dhe me intensitet të plotë këto ditë me qëllim që rruga të jetë e hapur për përdorimin e mjeteve shumë shpejt”, shkruhet në njoftim.


Segmenti nga Kukësi deri në doganën e Morinës ishte një nga pjesët e mbetura të papërfunduara të autostradës Durrës-Kukës. Problemi kryesor ishte mospërfundimi i 7 urave, të cilat pengonin lëvizjen e mjeteve në të dyja karrexhatat e rrugës. Gjithashtu, për shkak të mospërfundimit të këtij segmenti rrugor, jo vetëm kishte vështirësi në qarkullimin e mjeteve, por shpesh janë shkaktuar dhe aksidente me pasoja fatale.




Skip to toolbar