Rrugët e vendit janë përgjakur mbrëmjen e të shtunës në Durrës e Tiranë. Në qytetin bregdetar, në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit”, një mjet aksidentoi për vdekje një person, i cili drejtonte një motor. Sipas informacioneve paraprake dyshohet se personi që humbi jetën nga përplasja, është një shpërndarës picash.
Policia shkoi në vendin e ngjarjes duke ndaluar drejtuesin e mjetit, i cili dyshohet se është personi që aksidentoi motoristin. Viktima ende nuk është identifikuar, ndërkohë policia është duke punuar për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti me pasoja tragjike. Ndërkohë, nuk jepen detaje për emrin e personit të ndaluar.
Gjithashtu, rreth orës 19:50, një aksident ndodhi dhe në Tiranë. Sipas informacionit zyrtar të Policisë së Shtetit, mësohet se një mjet goditi një shytllë tensioni. Shtylla më pas ka goditur një tjetër mjet në aksin rrugor Tiranë-Durrës.
Si pasojë e aksidentit janë plagosur rëndë të dy drejtuesit e mjeteve, shtetasit me inicialet J.B dhe D.H. Ata janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore, ndërkohë që efektivët Blu të Policisë Rrugore po hetojnë shkaqet e aksidentit.