Padia penale që presidenti Ilir Meta depozitoi kundër kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani do të hetohet nga SPAK, kjo për faktin se prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë me argumentin se Dvorani është zyrtar i lartë. Moskompetenca është shpallur nga prokurori i Tiranës Alket Mersini. Pas këtij vendimi çështja i kalon SPAK-ut e cila do të hetojë nëse Dvorani ka shkelur ose jo ligjin për emërimet e anëtarëve në Gjykatës Kushtetuese, sikurse pretendon presidenti Meta.
Ky i fundit e depozitoi padinë për Dvoranin në 3 prokurori të ndryshme në mënyrë që të sigurohej se çështja do të pranohej. Fillimisht prokuroria për Krimet e Rënda shpalli menjëherë moskompetencë dhe çështjen ia kaloi Prokurorisë së Tiranës. Më pas dosja u shqyrtua nga ish kryeprokurorja Arta Marku e cila ia kaloi dosjen Prokurorisë së Tiranës.
Para se të merrte vendimin nëse do ta pranonte ose jo padinë, prokurori i çështjes Alket Mersini thirri për të dëshmuar në prokurori personazhet kyç, presidentin Ilir Meta, kreun e KED-së, Ardian Dvorani, Avokaten e Popullit si dhe anëtarët e KED-së, për të zbuluar nëse vendimi për emërimin e Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese ishte një vendim kolegjial i KED-së apo një vendim i marrë personalisht nga Dvorani, sikurse akuzon Meta.
Por në përfundim Alket Mersini vendosi të shpallë moskompetencë për këtë çështje. Tani dosja do të kalojë në dorën e SPAK, Prokuroria e Posaçme për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar në nivelin e zyrtarëve të Lartë. Pikërisht SPAK do të vendosë nëse do ta pranojë ose jo padinë penale të Metës ndaj Dvoranit.
Nëse e pranon atëherë Dvorani s’mund të jetë më anëtar i KED-së, (pasi sipas ligjit anëtarët që ndiqen penalisht nuk mund ta mbajnë këtë post) duke e futur në ngërç këtë institucion pasi ai është i vetmi anëtar i Gjykatës së Lartë që mund të përfaqësohet në këtë institucion. Por ndryshe mendon Meta, i cili shpjegoi pak kohë më herët se KED nuk futet në ngërç, pasi KED mund të drejtohet nga anëtarja më e vjetër e Gjykatës Kushtetuese, që aktualisht është Vitore Tusha. Kjo e fundit ka treguar se mbështet aktet e Presidentit Meta, pasi vendosi të njohë si anëtare të Gjykatës Kushtetuese Marsida Xhaferllarin, të dekretuarën e Metës dhe jo Arta Vorpsin të zgjedhurën e KED-së.
Gjithsesi çështja pritet të sqarohet nga SPAK.