Peshkëpia, Bejleri përsëri në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

AKTUALITET


Fredi Bejleri është thirrur për herë të tretë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ka dhënë sqarime në lidhje me “Masakrën e Peshkëpisë”, ngjarje që ka ndodhur në vitin 1994.

Aso kohe, një grup i organizatës “MAVI” sulmoi postën e Peshkëpisë, ku mbetën të vrarë dy shqiptarë dhe u plagosën tre të tjerë. Bejleri u paraqit përsëri sot para Prokurorit Eugen Beci, për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me atë ngjarje, si person nën hetim pasi dyshohet që ka qenë i përfshirë në atë ngjarje.

Kreu i OMONIA nuk i ka pranuar akuzat duke deklaruar se nuk qenë fare në Shqipëri në atë kohë. Prokuroria ka dërguar letër-porosi në Greqi në lidhje me këtë dosje, për të marrë në pyetje disa persona që kanë dijeni për ngjarjen.

Ndërkaq, Fredi Bejlerit i është refuzuar kandidimi nga KQZ për kryetar në Bashkinë e Himarës, pasi ai preket nga ligji i Dekriminalizmit, si person që ka kryer vepra penale.

Sakaq, për ngjarjen e Peshkëpisë, e rihapur për hetim pas më shumë se 25 vjetësh, janë nën hetim rreth 25 persona brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët akuzohen për akte terroriste.



Skip to toolbar