Turqi-Shqipëri, pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0, por me një rast të shkëlqyer të Rey Manajt në fund të pjesës së parë. Një pjesë e parë e tensionuar, me tre kartonë të verdhë ndaj ekipit tonë, dhe dy ndaj atij tur. Ndeshja nis keq për të tanët, pasi Dermaku në minutën e katërt të takimit ndërhyn keq ndaj kundërshtarit, duke shkaktuar faull, ndërsa arbitri e ndëshkon me të verdhë.
Ndërkohë, në të 7`, vjen dhe momenti i tensionit të parë. Një ndërhyrje e gabuar nga Demiral ndaj Keidi Bares, bën që lojtarët të përplasen, por arbitri ndërhyn dhe i ndëshkon të dy me karton të verdhë. Pesë minuta më vonë e pëson dhe Ledian Memushaj, që mban shirtin e kapitenit të kombëtares.
Loja bëhet e tensionuar, deri në minutën e 20`, ku skuadrat përplasen mes tyre, ndërsa rastet për gol pothuajse mungojnë.
Pas minutës së 20`, loja qetësohet, ndërsa ekipi ynë rrit presionin ndaj kundërshtarit, por rasti i vetëm i rrezikut është ai i Memushajt nga një goditje dënimi në të 34`, por që përfunoi me topin në duart e portierit. Ndërkohë, skuadra turke provon në dy tentativa drejt portës tonë, por Thomas Srakosha ndal çdo rrezik. Megjithatë, në shtesën e pjesës së parë, Manaj fiton faull, ndërkohë mbetet i dëmtuar futbollisti turk Tekdemir. Kuqezinjtë kanë shanse për të shënuar nga goditja e dënimit, por gjuajtja e Manajt pritet nga portieri turk.