Shqipëria modeste, sfidon “205 mln euro” të Anglisë

AKTUALITET


Pas kombëtares A, që u bërballë mbrëmjen e të enjtes me Andorrën në sfidën kualifikuese, të premten në mbrëmje një tjetër sfidë është rezervuar për kuqezinjtë. Në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, kombëtarja U-21 e drejtuar nga Alban Bushi do të përballet me Anglinë, në sfidën eleminatore e vlefshme për Grupin 3.

Ndeshja në letër është shumë e vështirë për skuadrën tonë, pasi Anglia vjen në Shqipëri me shumë yje, talente që luajnë në ekipet e Premier League. Megjithatë, duket se të tilla ndeshje shërbejnë edhe si motivim për skuadrën tonë, duke pasur parasysh nivelin e kundërshtarit. Aktualisht, kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi ndodhen në vendin e katër me 5 pikë.


Shanset për kualifikim ekzistojnë, pavarësisht sesa e vështirë është. Shqipëria ndodhet në grup me Kosovën, Turqinë, Andorrën, Austrinë dhe Anglinë, këto dy të fundit janë dhe skuadrat që kryesojnë grupin me nga 9 pikë secila.

Kombëtarja U-21 e Anglisë vlen 205 milion euro, pasi në skuadër kanë yje që kushtojnë deri në 35 milion euro, si Reyan Sessegnon, që aktivizohet për Tottenham. Ndërsa kombëtarja U-21 e Shqipërisë kushton rreth 3.8 milion euro, shifër e papërfillshme, ose thënë ndryshe sa lojtari më pak i kushtueshëm i Anglisë U-21. Ndërkohë, Kosova U-21 do të përballet mbrëmjen e të premtes me Austrinë.




Skip to toolbar