Rindërtimi, Ahmetaj: S`do rriten taksat. Ja si do sigurohen paratë

#NËRADAR


Kryetari i Komiteti të Rindërtimit pas tërmetit, Arben Ahmetaj foli në terma konkret se si do të sigurohen paratë që do të përdoren për rindërtimin e shtëpive për të pastrehët. Ahmetaj tregoi fillimisht se deri të mërkurën pasdite, janë grumbulluar rreth 7.7 milionë euro nga biznesmenët që kanë dhuruar para.

“Deri në orën 15:00 janë mbledhur 7.7 mln euro nga bizneset. Por ka një pjesë që ende nuk është ekuivalentuar. Janë rreth 5300 qytetarë që kanë dhuruar vlera monetare rreth 54 milion lekë të reja. Këta janë donator të vegjël që kanë hequr nga buka e tyre”, tha Ahmetaj.

Ndërkohë, ai shtoi se qeveria do të ketë barrën kryesore të financimit për rindërtimin e dëmeve nga tërmeti. Ahmetaj theksoi se një shumë e konsiderueshme pritet të grumbullohet nga donatorët. Ai kujtoi konferencën e donatorëve të vitit 1997, ku tha se u mblodhën 600 milionë euro.

“Qeveria shqiptare do mari përsipër përgjegjësinë e vetë. E kemi formatuar buxhetin. Kryeministri e ka orientuar buxhetin. Unë kam parasysh 1997, kur mblodhëm 600 milionë. Por ishte pas 1997. Por dhe tani besoj se kontributi i donatorëve do të jetë domethënës”, tha Ahmetaj.

Po si do të sigurohen paratë nga buxheti i shtetit? A do të preken qytetarët duke rritur taksat? Arben Ahmetaj tregoi skemën që do të përdoret. Ai theksoi se nuk do të ketë rritje të tkasave për qytetarët, ndërsa paratë do të përdoren në disa mënyra, duke nisur nga kursimet nga buxheti i shtetit, te kreditë me këste të ulta.

“Skema është e tillë, e kombinuar, që nga kursimet, donatorët, kredi me interesa minimale, rritje e përgjegjësisë së qeverisë nëpërmjet ekspandimit të fondeve për rindërtimin. Nuk do ketë rritje taksash. Lajmet për mbajtje pagash e pensionesh është “fake neës”. Kjo qeveri ka marrë përgjegjësinë  e vetë, do ta përballojë këtë situatë. Nuk i lë qytetarët në rrugë kjo qeveri”, tha Ahmetaj.

Ndërkohë, drejtuesi i organizatës “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari u shpreh se në total nga të gjitha organizatat dhe fondacionet pritet të grumbullohen rreth 20 milionë euro, që kalon edhe shumën që ka akorduar Komisioni Europian. “Vetëm organizatat mund të shkojnë deri në 20 milionë euro. E kalojmë dhe kontributin e Komisionit Evropian. Janë 400 mijë donator, nga më i vogli te më i madhi”, tha Hajdari.

Ndërkohë, Arben Ahmetaj shtoi se 80% e punës për rindërtimin e banesave, nëse qeveria punon 24 orë, do të përfundojë në 31 dhjetor të vitit 2020. “Unë besoj se nëse qeveria angazhohet 24 orë për rindërtimin e banesave, besoj se 80% e punës mbaron në 31 dhjetor të vitit 2020. Institucioni që do mari përsipër rindërtimin, duhet të kërkojë leje të veçantë. Ato firma që do punojnë me rindërtimin duhet të punojnë 24 orë”, tha Ahmetaj.

A rrezikon ekonomia të shkojë në reçension? Arben Ahmetaj tha në “Real Story” se shqiptarët do e rimarrin veten shpejt, ndërsa beson që injektimi i parave për rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti do të ketë efekte positive. “Shoqëria do e rikuperojë me qetësimin e lëkundjeve. Mund të ketë një stepje momentale të konsumit. Shqiptarët në krye të një ose dy muajve do t`i kthehen jetës së zakonshme të tyre. Kështu ka ndodhur në të gjitha vendet. Kështu ka ndodhur kudo ku ka pasur emergjenca. Injektimi për rindërtimin do japi efektet e veta positive”, tha ai. /Realstory.al/



Skip to toolbar