Një atentat me armë zjarri ka tronditur Vlorën në orët e pasdites së të shtunës, ku objektiv dyshohet se ka qenë një i sapoliruar nga burgu, vetëm tre ditë më parë, i cili ka mbetur i plagosur rëndë. Por nga breshëria e armës ka mbetur i plagosur dhe kunati i tij (vëllai i gruas), me të cilin ndodheshin në lokalin ku ndodhi atentati, ndërkohë që policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim mjetin, me të cilin dyshohet se janë larguar autorët e krimit, ende të paidentifikuar. Të shtënat me armë kanë shkaktuar panik dhe frikë te personat e tjerë që ndodheshin në lokal.
Policia e Vlorës deklaroi se rreth orës 18:22, në lagjen “Bashkimi” në Vlorë, në një lokal dyshohet se pas një konflikti të çastit kanë mbetur të plagosur me armë zjarri shtetasit N.Ç. 36 vjeç dhe R.Ç., 28 vjeç me banim në Vlorë, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore. Sipas të dhënave të besueshme, një nga të plagosurit, i cili rezulton të jetë Nikollaq Çepaj, 36 vjeç, ishte liruar nga burgu vetëm 3 ditë më parë. Ndërsa i plagosuri tjetër mësohet se është Roland Çepaj.
Xhaxhai i të plagosurit Roland Çepaj rrëfen se ka parë autorin që qëlloi me breshëri kallashnikovi nga makina drejt lokalit. “Ishim atje duke pirë kafe, dëgjova brrrr (breshëri), mendova se ishin fishekzjarrë, më pas dëgjova ulërima. Ishte breshëri. Qëlloi nga brenda makinës, pa ndaluar. Sa e ndaloi një çikë, e pashë atje, ia dha më pas me breshëri. Rolandin e kam djalë vëllai, është 28 vjeç. Nikua (personi tjetër) tre ditë kishte që kishte dalë nga burgu” tha ai.
Megjithatë, dëshmitë e para në vendngjarje, sipas policisë janë kontradiktore. Disa persona thonë se autori ka qenë me maskë, ndërsa të tjerë thonë se në kokë kishte kapele të kuqe. Dyshohet se arma ka qenë automatik.
“Autorët dyshohet se mund të jenë larguar me një automjet ku në ndjekje të tyre janë vënë disa grupe policore. Njëkohësisht janë ngritur disa pika kontrolli në rrugët dalëse të qytetit dhe po kontrollohet e gjithë zona me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, deklaroi policia.