Polici i plagosur, te Trauma/ Lamallari viziton efektivin: Hetim i thelluar për ngjarjen, shkelësit do mbajnë përgjegjësi

AKTUALITET


Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka vizituar mesditën e sotme në Spitalin e Traumës efektivin e policisë, Edison Adri, të mbetur të plagosur gjatë ngjarjes së rëndë në Maliq.

Në një deklaratë për mediat nga ambientet e spitalit, Lamallari bëri të ditur se ka nisur një hetim i thelluar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, duke garantuar se kushdo që do të rezultojë përgjegjës do të përballet me ligjin.

Ministri theksoi se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është nisur tashmë drejt Korçës dhe se shumë shpejt do të udhëtojë edhe ai vetë drejt zonës. Duke vënë theksin te përgjegjësia morale dhe ligjore, Lamallari nënvizoi se prioritet absolut në këto momente mbetet shëndeti i efektivit të plagosur, i cili po i nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjikale.

“Në situata të tilla çdo sekondë vlen. Dhe mjekët po bëjnë të pamunduren. Me rëndësi është që gjendja e të plagosurit është e stabilizuar. E thashë dhe më herët çdo situatë e tillë, kërkon hetim të thelluar. Çdo situatë e tillë kërkoj angazhim në menaxhim. Ju siguroj se një hetim po vijon. Drejtori i Policisë është nisur drejt Korçës edhe unë do të nisem.

Është koha për përgjegjësi morale dhe ligjore. Çfarëdo që të nxjerrë hetimi dhe kushdo që do të dalë përgjegjës ndaj këtij hetimi do të mbajë përgjegjësi. Më e rëndësishme për mua në këto momente është gjendja shëndetësore e efektivit i cili është duke iu nënshkruar ndërhyrjeve kirurgjikale”, tha Lamallari.



Skip to toolbar