Pranga shoferit të autobusit, kapet me patentë false

AKTUALITET


Policia rrugore e kryeqytetit ka nisur zbatimin e një plani për mjetet e shërbimit publik. Duke u nisur nga ankesat e qytetarëve, siç raporton policia me një komunikatë, mësohet se gjatë këtyre ditëve janë shtuar kontrollet ndaj mjetet e transportit publik. Sipas policisë, është arrestuar në kushtet e flagrancës 1 drejtues autobuzi, pasi gjatë kontrollit policor i ka paraqitur agjentit verifikues një leje drejtimi të falsifikuar. Gjithashtu, policia ka bllokuar 35 certifikata transporti, pasi janë konstatuar duke ushtruar aktivitetin në linja të ndryshme nga ato për të cilat disponojnë certifikatat e transportit.

15 drejtuesve të mjeteve të transportit publik, u janë hequr lejet e drejtimit, pasi janë gjetur me drejtim mjeti me mëngësi në regjistruesin e shpejtësisë dhe kohës. 78 gjoba janë vendosur për drejtuesit e mjeteve që kanë marrë pasagjer mbi kapacitetin e lejuar, ndërsa janë proceduar 45 shoferë, të cilët kanë marrë pasagjerë duke ndaluar në autostrada apo rrugë interurbane, duke u bërë kështu shkak për aksidente.

Policia njofton se ka tërhequr 22 licenca për mjetet e transportit publik taxi, pasi janë konstatuar duke qarkulluar në kundërshtim me kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në licencë. Gjithashtu, efektivët e qarkullimit rrugor, kanë ndëshkuar 25 drejtues mjetesh për përdorim vetjak, pasi janë konstatuar se e përdornin mjetin e tyre për të transportuar pasagjerë pa leje përkatëse. Në total, sipas policisë, janë vendosur 235 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve të shërbimit publik.



Skip to toolbar