Prefekti i Korçës: Disa banorë nuk pranojnë të largohen nga çadra

AKTUALITET


Prefekt i Korçës Dhori Spirollari ka deklaruar të martën se po bëhet sistemimi i banorëve të prekur nga tërmetet në shkolla dhe në spitale, por një pjesë prej tyre nuk pranojnë të largohen nga çadrat.

Sipas tij, banorët thonë se s’mund të zhvendosen në banesa sociale për shkak se jeta e tyre është e lidhur me tokën, bujqësinë dhe kafshët.

“Një pjesë janë zhvendosur një pjesë nuk pranojnë, jemi në një zonë rurale, jeta e tyre është e lidhur me jetën e tokës, bujqësisë me kafshët. Pjesa tjetër, gratë fëmijët,janë strehuar në rezidenca private qendra sociale. Jemi në punë e sipër të zhvendosim të gjithë ata që pranojnë”, tha Spirollari për Report TV.

Ai gjithashtu tha se po bëhen vlerësimet nga komisionet e ngritura në mënyrë që qeveria të përcaktoje dëmshpërblimet për banorët.

“Komisionet gjatë ditës së djeshme kanë bërë një vlerësim paraprak, jemi në diskutim e sipër me qeverinë që banorët të shkojnë në shtëpitë e tyre, pra të dëmshpërblehen dhe t’u ndërtojmë shtëpitë.

Bashkitë janë të detyruara dhe kanë nxjerre urdhrat për komisionet e vlerësimit, që do përcaktojë në mënyrë individuale dhe do bëjë vlerësimin për çdo shtëpi”, tha prefekti i Korçës.



Skip to toolbar