Tërmeti në Korçë, qeveria do të dëmshpërblejë të dëmtuarit

AKTUALITET


Shefi i Emergjencave Civile, Haki Çako ka premtuar dëmshpërblim për banorët e prekur nga tërmetet në qarkun e Korçës.

Në një lidhje direkte nga Korça, për Report Tv, Çako tha mëngjesin e së hënës se Emergjencat Civile janë në gatishmëri për të gjithë banorët në nevojë dhe kapacitetet janë të mjaftueshme për të përballuar strehimin e shumë familjeve, ndërsa tha se lëkundjet e tërmetit kanë dëmtuar 184 shtëpi, 95 prej të cilave janë dëmtuar tërësisht.


“Është e vërtetë që nuk po mbarojnë lëvizjet sizmike, para pak minutash ka pasur termet tjetër 2 ballë. Janë marrë masat për strehimin e banorëve. Tërmeti më i lartë është shënuar i shkallës 5.3 ballë. Në fshatin Flloq janë mbi 160 persona të strehuar, në Vidov 40 persona dhe në Qafëzezë janë strehuar 30 persona si dhe janë marrë të gjitha masat për banorët , në gatishmëri janë dhe Forcat e Armatosura, Kryqi i Kuq e Emergjencat Civile.

184 banesa janë të dëmtuara, 95 prej tyre janë të dëmtuara plotësisht që do duhet të marrin vlerësimin nga instancat përkatëse. Deri në momentin e stabilizimit sizmik, qeveria është duke bërë një vlerësim për akomodimin e një fondi për të gjitha masat e trajtimit financiar ose rindërtimin e banesave të tyre.

Sigurisht që jemi në dispozicion, të gjitha institucione. Apeli është të solidarizohemi të gjithë. Nuk mund të parashikohet, por banorët janë solidar me njëri tjetrin. Duhet të ftoja të gjithë biznesmenët që kanë mundësi le ta përqendrojnë vëmendjen tek këta banorët.

Qeveria është duke vlerësuar në maksimum për akordimin e një fondi për t’iu shpërndarë banorëve të kësaj zonë të cilët do të vlerësohen sipas nivelit të dëmit për rindërtimin e banesave të tyre”, tha Çako.




Skip to toolbar