Prej 12 orësh asnjë lëkundje mbi 3 ballë, Sizmologët: Situata po normalizohet

AKTUALITET


Katër ditë pas tërmetit të fortë, sizmologët deklarojnë se situata është drejt normalitetit dhe pasgoditjet e mëdha nuk kanë asnjë efekt dëmtimi. Nga verifikimet e kryera rezulton se Shqipëria prej 12 orësh nuk ka pasur ndonjë pasgoditje me magnitudë mbi shkallën 3.0 Rihter.

Që prej mëngjesit të 26 Nëntorit, kur vendi u godit nga një tërmet 6.3 ballë, janë shënuar plot 1260 nëngoditje të tjera sizmike. “Këto pasgosditje nuk kanë asnjë efekt në dëmtime strukturore”, tha sizmologu. Por Rrapo Ormeni thotë se trendi i tyre ka ardhur në rënie, çka dëshmon se vala sizmike po shkon drejt shuarjes.

“Sa më i madh tërmeti aq më të mëdhenj janë edhe pasgoditjet dhe janë shënuar disa pasgoditje të mëdha. Ky është një tregues i mirë që kjo energji atje po çlirohet deri sa të stabilizohet plotësisht”, shpjegoi ai.

Mëngjesin e së shtunës është shënuar një tërmet 3.1 i shkallës Rihter në zonën e Korçës, por Ormeni thotë se nuk ka lidhje mes dy fenomeneve, pasi ndodhen në pllaka tektonike të ndryshme. “Tërmete të tillë bien gjatë ditës disa, s’kanë lidhej këto lloj thyerje me njëra-tjetrën. Aktivizimi i Korçës është një thyerje tjetër, aktivizohet më vete”, tha ai.

Ndërkohë, në orën 5.28 të mëngjesit në detin Adriatik, diku mes Lezhës dhe Shëngjinit është shënuar një pasgoditje me shkallë 3.0 Rihter. Sizmologët qetësojnë duke thënë se gjithsesi në Tiranë apo zona të tjera që ndodhen më larg epiqendrës nuk ka vend për panik, pasi lëvizjet nuk janë të rrezikshme.



Skip to toolbar