Profesori: Deputetët shqiptarë dhe Ministren e Arsimit do t’i ngelja për vjeshtë

AKTUALITET


Në mbyllje të tetorit, muajit të leximit, një fjalor gjigant në qendër të Tiranës të tregon gjuhën e vërtetë, ndryshe nga ajo që dëgjojmë e shkruajmë në të përditshmen tonë. Për profesorin e gjuhës shqipe, Rami Memushaj niveli i përdorimit të gjuhës shqipe nga shoqëria shqiptare është i ulët. Ai nuk nguron t’i vendosë notën 6 shoqërisë shqiptare, ndërsa thotë se gjysmën e deputetëve të parlamentit shqiptar do t’i ngelte për vjeshtë dhe këtu përfshin edhe ministren e Arsimit, Besa Shahinin.

“Shoqërisë shqiptare do t’i vija notën 6, pasi ka gjithë këto gabime. Kryeministrit do t’i vija notën 9 sepse është një përdorues i mirë i gjuhës. Megjithatë, po ta merrja në aspektin organizativ do t’i vendosja notën 4. Ai nuk ka bërë asgjë për gjuhën shqipe. Ministrja e Arsimit duhet të mësojë njëherë gjuhën standarde, nuk di ta flasë. Do ta lija për në vjeshtë atë! Në parlament ka nivele të ndryshme, por një pjesë janë mbetës”, shprehet gjuhëtari Rami Memushaj për A2 news. Nëse vite më parë, çdo shtëpi kishte fjalorin e gjuhë shqipe, sot shumica i kanë shitur dhe i kanë zëvendësuar me fjalorë të gjuhëve të huaja!


Botimi më i fundit i fjalorit të gjuhës shqipe është një format i vitit 2006. Gjuhëtarët shprehin nevojën e një botimi të ri, i cili kërkon mbështetjen financiare nga qeveria, rreth 700 mijë euro për 5 vjet.

“Vetëm 15 vitet e fundit kanë ardhur rreth 150 mijë fjalë nga fjalorë apo vepra të ndryshme që kanë lidhje me leksikun dialektor. Ne presim ta kodifikojmë, por s’kemi fonde”, thotë Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë.

Leksikologu Valter Memisha denoncon faktin se Ministria e Arsimit nuk nxit shkollat për t’i pajisur me  fjalorin e gjuhës amtare.




Skip to toolbar