Prokurori i “Gërdecit”, la pa fjalë ONM. Kush është Altin Dumani, që pritet të drejtojë SPAK!

#NËRADAR


Të hënën, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të emërojë 8 prokurorët e parë në Prokurorinë Speciale, SPAK. Njëkohësisht me emërimin e prokurorëve të parë në SPAK, do të hapet gara edhe për drejtuesin e kësaj prokurorie. Sipas renditjes së KLP, Altin Dumani është prokurori me më shumë pikë, i renditur i pari në listë. Ai është përfolur edhe si një nga kandidatët kryesor për të marrë drejtimin e SPAK.

Po kush është Altin Dumani?

Në moshë 45-vjeçare, Altin Dumani vjen nga radhët e Prokurorisë së Apelit. Ai është lindur në Shupenzë të Dibrës, dhe njihet si “prokurori i pakompromis”. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha. Ka një karrierë prej 20 vitesh si prokuror,  në mars të vitit 1999, ka shkelur për herë të parë në prokurori, me detyrë në Sarandë, ndërsa sot është kreu i komanduar i prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda. 

Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post sipas Dumanit që u refuzua nga shumë të tjerë për shkak të çështjeve problematike atje. Ai bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008.

Gjatë mbledhjes ku u pyet se pse vendosi që të jetë pjesë e SPAK, Dumani u përgjigj duke thënë se ka lënë mënjënanë komoditetin e prokurorisë së apelit dhe do ti përkushtohet luftës ndaj krimit. “Lufta ndaj krimit është më prioritare se komoditeti zyrës”. Dumani është një nga prokurorët e vetëm që la “pa fjalë” edhe të dërguarin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, ditën që doli përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. “Kam marrë pjesë në 25 çështje dhe kjo është hera e parë që s’kam asnjë pyetje. Zoti Dumani qenka me fat”, u shpreh Jacobs.

Veç Dumanit, në garë për SPAK janë dhe prokurorët Arben Kraja, hetuesi i rrugës Durrës-Kukës, Edvin Kondili i dosjeve “Kokaina”, Klodian Braho prokurori që heton korrupsionin, Enkeleda Millonai drejtuesja e prokurorirsë së Elbasanit, Behar Dibra prokurori i bandave të 97-ës, Ened Nakuçi dhe Elida Kaçkini.



Skip to toolbar