Prokuroria e Përgjithshme pranon 27 oficerë të policisë gjyqësore me ligjin e shfuqizuar

#NËRADAR


Pesë ditë pasi hyri në fuqi ligji i ri për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore, 27 persona të rinj do të pranohen në policinë gjyqësore me ligjin e vjetër, duke iu shmangur në këtë mënyre kritereve të vendosura në kuadër të reformës në drejtësi.

Procedura e konkurrimit në fakt ka nisur që në muajin mars, rreth tre javë para se Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për Funksionimin e Policisë Gjyqësore”, por fazat e konkurrimit nuk kanë përfunduar të gjitha.

Duke verifikuar datat rezulton se në 15 mars 2019, Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar për 27 vende vakante për oficerë të policisë gjyqësore, ndërsa më 12 prill ka nxjerrë procedurat e konkurrimit për oficerë të policisë gjyqësore. Më 15 maj, prokuroria ka publikuar listën e 171 kandidatëve për oficerë të policisë gjyqësore që kalojnë në fazën e dytë të konkurrimit, që do të jetë intervista në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas njoftimit, intervistat të do realizoheshin sipas grafikës nga data 20 maj deri në 25 maj.

Por çfarë ndodh?!

Në kohën kur është hapur procedura me ligjin e vjetër për oficerë të rinj të policisë gjyqësore, pra më 15 mars 2019, projektligji i ri për policinë gjyqësore ishte dërguar në Kuvendin e Shqipërisë dhe pikërisht më 9 prill, Komisioni për Sigurinë Kombëtare e ka miratuar projektligjin. Ndërkohë më 25 prill, ligji i ri është miratuar edhe nga Kuvendi, pra 17 ditë, pasi prokuroria vijonte të publikonte procedurat për oficerët e policisë gjyqësore, duke u bazuar ende në ligjin e vjetër. Më 17 maj, Presidenti i Republikës e ka dekretuar ligjin e ri, ndërkohë që dy ditë para këtij dekreti, Prokuroria e Përgjithshme kishte dhënë njoftimin për fazën e dytë të konkurrimit, sërish me ligjin e vjetër. Më 20 maj, ligji i ri është botuar në fletoren zyrtare, ku sipas njoftimit ka hyrë në fuqi menjëherë. Por, në datat 20-25 maj, prokuroria  ka realizuar intervistat për 171 kandidatë, duke u bazuar në ligjin e vjetër, ndërkohë që tashmë është në fuqi ligji i ri, kështu që 27 oficerët e rinj të policisë gjyqësore i shmangen në këtë mënyrë kritereve të vendosura në ligjin e ri.

Një burim nga Prokuroria e Përgjithshme tha për RealStory.al se ky nxitim nuk është bërë për t’iu shmangur kritereve të reja, por është kryer për shkak të ngërçit të krijuar gjatë procesit të Vettingut, pasi prokurorët janë ngarkuar me dosjes, të cilat po vonohen në hetime. Por nga ana tjetër, policia gjyqësore është edhe një strukturë e lakmuar pas ndryshimeve ligjore të reformës në drejtësi që kanë sjellë rritjen e pagave deri në nivelin e 60 për qind të prokurorit. Megjithatë, nga Prokuroria e Përgjithshme deklarohet se nuk ka shkelje të ligjit, pasi procedurat e konkurrimit kanë nisur që në muajin mars, pra para se të hyjë në fuqi ligji i ri. Gjithsesi, ligji i vjetër për policinë gjyqësore ka kritere më të lehta se ligji i ri, duke  filluar që nga mënyra e përzgjedhjes, e deri te arsimi apo eksperienca, që në këtë rast do të shmangen nga Prokuroria e Përgjithshme.



Skip to toolbar