Protesta e mjekëve, Manastirliu: Dera ime e hapur për të diskutuar. Nuk besoj se është pakënaqësi

Më të fundit


Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka folur në “Real Story” në News24 edhe për paralajmërimin e mjekëve për protestë. Manastirliu tha se janë në komunikim të vazhdueshëm dhe se dera e saj është e hapur për të gjithë mjekët dhe infermierët.

Por përse nuk u lanë mjekët të protestojnë?

“Sindikata e mjekëve i është drejtuar Policisë së Shtetit me një kërkesë dhe nuk dua të komentoj institucionet ligjzbatuese mbi atë çfarë ato kanë detyrë të bëjnë.

Mjekët dhe infermierët më njohin sikurse dhe i njoh në punë të përditshme me ta, unë jo vetëm i vlerësoj për punën e madhe që ata bëjnë përgjatë gjithë vitit për sakrificën e madhe mbinjerëzore dhe profesionalizmin e treguar por dera ime është e hapur për çdo mjek e infermier për të diskutuar, dialoguar. Siç ka qenë dhe do të jetë. Nuk ka asgjë që ne nuk e themi me njeri-tjetrin. Diskutojmë kërkesat e tyre…”, tha ministrja.

Manastirliu tha se nuk beson se është pakënaqësi e mjekëve. “S’do doja t’i jepja ngjyrim emocional të tepruar, jemi në komunikim intensiv, kemi ngritur ura bashkëpunimi, jemi në një llogore dhe punojmë për të njëjtin qëllim. Ashtu sikurse premtimet i kemi mbajtur në çdo ditë të punës sonë, deklarata e kryeministrit pak ditë më parë që tregon realisht vlerësimin maksimal për punën e personelit mjekësor për rritjen historike të pagave që do të ketë ky personel është prova më e mirë për vlerësimin që i japim.

Nuk përmendet paga dhe shpërblimet. Pikat e tjera do të diskutohen në këtë takim. Dera jonë e hapur dhe jemi me ta për gjithë mbështetjen që meritojnë. Urat e bashkëpunimit janë shumë solide sepse e kemi treguar me fakte dhe jo me fjalë atë që kemi bërë për personelin shëndetësor”, deklaroi Manastirliu.



Skip to toolbar