Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka folur për mediat në lidhje me protestat e zhvilluara më 11 dhe 13 maj si dhe për të informuar në lidhje me aksionin opozitar që do të ndiqet më pas. Basha falenderoi të gjithë qytetarët që morën pjesë në protestë dhe nuk i ndali asgjë që të dalin në rrugë për të rrëzuar krimin. “Ky është mesazhi më i qartë kombëtar për pengmarrësit e demokracisë” tha Basha në lidhje me protestën.
“Një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj dite ka qenë media, gazetarët dhe operatorët që kanë qëndruar në kushte të vështira, operatorët duke ecur mbrapsht për të transmetuar live këtë ngjarje. Dua të falënderoj qytetarët, një mirënjohje të jashtëzakonshme kam për ju. Asgjë nuk ju ndali të vinte në këtë protestë.
Ky ishte një mesazh kombëtar, i qartë dhe i prerë për këdo dhe në veçanti për pengmarrësin e demokracisë, për pengmarrësin e familjeve shqiptare, njeriun që ka mbyllur derën e negociatave se nuk ka dhe s’do ketë asnjë hap pas. Do ketë vetëm hapa para. Bashkimi ynë ka marrë përmasa që i tejkalojnë kufijtë politikë të mbështetësve të opozitës, është një bashkim popullor. Përshëndes ata socialistë që iu bashkuan dje protestës dhe i takova disa prej tyre personalisht, duke u dhënë mesazhin se kjo nuk është betejë për pushtet, por për transformim. Ky transformim nis me votën e lirë. Pjesëmarrja madhështore dëshmoi besimin e madh që kanë qytetarët tek kauza.” – tha Basha.