Negociata ndoshta, por PS paralajmëron Bashën dhe Kryemadhin: Zgjedhjet më 2021

AKTUALITET


Teksa Basha doli të martën në mbështetje të dekretit të Metës që në 13 tetor të zhvillohen 3 palë zgjedhje, pra zgjedhje lokale, të përgjithshme dhe presidenciale, ka reaguar menjëherë zëdhënësja e qeverisë.

Elisa Spiropali ia bëri të qartë si Bashës ashtu edhe Metës se zgjedhjet e ardhshme do të jenë më 2021 dhe as që mendohet të ketë të tjera. Spiropali i kërkon Bashës që të mos merret më me 30 qershorin, se këto zgjedhje tashmë janë kryer, por të hedhë sytë te zgjedhjet e 2021.

“Lulzim aman ndërro pllakën e gramafonit se s’dëgjohet më as ajo kënga monotone, po veç gërvishtjet e pllakës! Ndërroje atë dreq pllake dhe harroje 30 qershorin bashkë me Baba Xhiken se po të ikën edhe qershori 2021”, shkruan Spiroali në Twitter.

Edhe kryeministri Rama e tha qartë në një dalje për mediat të hënën, se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, ndërsa qëndrimet e opozitës, i cilësoi si akte që çojnë në vetë eliminimin e saj.

Maxhoranca nuk e njeh dekretin e Metës për 13 tetorin. Zgjedhjet lokale u zhvilluan dhe u njohën nga ndërkombëtarët. Zgjedhjet e parakohshme nuk ka asnjë arsye që të zhvillohen duke u nisur nga parashikimet e Kushtetutës, ndërsa ato presidencialet bien kryekëput në kundërshtim me Kushtetutën, dhe duken si një dëshirë e Metës për të mbajtur karrigen, në prag të shkarkimit.



Skip to toolbar