Rikonstruktohet shkolla “Jeronim De Rada”, Veliaj: Fund mësimit me turne

AKTUALITET


Pas 54 vitesh, me mbështetjen e Katarit, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rikonstruksionin e plotë të shkollës “Jeronim De Rada”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me Ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad Al-Marri, inspektuan nisjen e punimeve për rikonstruksionin e shkollës, çka shmang përfundimisht mësimin me dy turne. “Jam jashtëzakonisht i lumtur që bashkë me mikun tim, ambasadorin e Katarit, jemi në fillimin e punimeve për shkollën “Jeronim De Rada”, një shkollë që do duket totalisht e re, jo vetëm sepse do të rikonstruktohet nga e para, por sepse do t’i shtohet një palestër, do t’i shtohen disa klasa për të shmangur përfundimisht mësimin me dy turne. Një bekim i madh, edhe një arritje e madhe për Njësinë 9, por sigurisht për zonën e rrugës “Fortuzi’”, tha Veliaj.


“Bashkia po bën edhe 17 shkolla të reja me forcat e saj, ndërkohë për shkollat ekzistuese kemi zgjedhur partneritete me miqtë e Shqipërisë, siç është Ambasada e Katarit, për t’u siguruar që edhe nevojat në shkollat ekzistuese të plotësohen. Kështu, do të kemi një komunitet që e shikon si shkollën si qendër komunitare, jo thjesht si një vend parkimi, 6 orë, për fëmijët. Kemi një plan zyrtar për t’i përfunduar punimet deri në shtatorin tjetër. Megjithatë, sot morëm një premtim që do të sforcohemi pak, ndoshta dhe me dy-tre turne, për t’u siguruar që ndoshta që në semestrin tjetër të kemi gati shkollën e re “Jeronim De Rada’”, tha Veliaj.

Shkolla “Jeronim De Rada” është ndërtuar në vitin 1965 dhe që prej atëherë nuk është ndërhyrë plotësisht. Falë rikonstruksionit të plotë, kjo shkollë do të ketë më shumë klasa, nyje sanitare, një palestër të re me ambiente ndihmëse, laboratorë të mirëpajisur, si dhe vendosjen e sistemit qendror të ngrohjes.




Skip to toolbar