Pse u vranë kushërinjtë në Laç? Ja çfarë thotë policia

Më të fundit


Policia e Lezhës ka zbardhur ngjarjen e mbrëmshme në Laç ku mbetën të vrarë dy kushërinjtë Mikel Jushi, 35 vjeç, dhe Jani Jushi, 30 vjeç.

Policia bën të ditur se motivi i vrasjes ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes 5 personave të cilët kanë qenë duke biseduar në lokal. Për zbardhjen e rrethanave të krimit, policia shoqëroi 23 persona në cilësinë e dëshmitarit.


 “Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas  të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit  Gjyqësor Kurbin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Menjëherë sa është marrë njoftimi, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë së Kurbinit si dhe grupi hetimor. Në vijim janë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët që lidhen me qytetin e Laçit si dhe disa pika kontrolli në akset kryesore rrugore, Milot -Lezhë, Milot -Kurbin -Tiranë.

Me mbështetjen e FNSH, janë kryer një sërë kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët, si dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, 23 persona  të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezultoi se  ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit, dhe se autorët e dyshuar të vrasjes janë shtetasit: M. B., 25 vjeç, M. B., 23 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të tre lindur e banues në Kurbin.

Policia e Kurbinit vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Materialet iu referuan Prokurorisë Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, thuhet në njoftimin zyrtar.




Skip to toolbar