Reforma në Drejtësi nuk ka kthim pas. Kjo është, jo vetëm një thirrje e përsëritur e ndërkombëtarëve, por edhe një qëndrim i qartë i qeverisë. Zëvendës ministrja e brendshme, Romina Kuko, e cila njëkohësisht është edhe kryetare e Grupit Ndërinstitucional të Punës ka njoftuar se qeveria po bën përgatitjet për hapjen e Kapitullit 24, në negociatat me BE-në.
Ky kapitull, i përmendur disa herë nga kryeministri Rama, është mjaft i rëndësishëm për ecurinë pa ndërprerje të Reformës në Drejtësi.
Kapitulli 24 ka të bëjë me “Drejtësinë, Lirinë, Sigurinë” dhe është kapitulli i parë, së bashku me Kapitullin 23, që do të hapet në negociatat me Bashkimin Europian, pas marrjes së dritës jeshile nga Brukseli.
Në një postim në twitter, Kuko i referohet deklaratës së presidentes së re të Komisionit Europian, Ursula von det Leyen e cila u shpreh në mbështetje të çeljes së negociatave për Shqipërinë, ndërsa shkruan se edhe Shqipëria është gati për të gjithë procesin e negociatave.
“Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von det Leyen është shprehur sërish pa asnjë ekuivok lidhur me hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Ministria e Brendshme, si institucioni lider për Kapitullin 24, më këmbë për përgatitjen e plotë të gjithë procesit
Sot në mbledhjen e Komitetit Drejtues dhe Grupit të Punës nga MB dhe PSH. Kapitulli 24 “Drejtësia, Liria, Siguria” është kapitulli i parë (së bashku me Kap.23) që do të hapet në negociatat me BE
Fushat kryesore: Lufta kundër krimit të organizuar; Migracioni, Azili, Kufijtë e jashtëm dhe politika e vizave; Lufta kundër terrorizmit; Bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale&civile; Institucionet e përfshira:MD,MFE, Banka e Shqipërisë, Prokuroria e Përgjithshme etj.
Proces intensiv i cili nuk konsiston vetëm në përafrim legjislacioni por në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë & zbatimit të ligjit si dhe rezultate konkrete nga operacionet. Drejtësia e re!”, shkruan Kuko.
Pra reforma në Drejtësi e kërkuar nga ndërkombëtarët nuk nënkupton vetëm ngritje të institucioneve të reja, por edhe rezultate konkrete ç’ka do të thotë shembuj konkretë arrestimesh dhe dënimesh të zyrtarëve të lartë, gjë e cila pritet të shkaktojë tërmet në politikën shqiptare.
E këto shembuj konkretë duhet të jepen sa më parë, me çeljen e negociatave në tetor. Shqipëria duhet t’i faktojë BE-së se funksionon Drejtësia e re dhe shteti ligjor dhe se para ligjit janë të gjithë të barabartë, ashtu sikurse ndodh në perëndim.