Rama: Kushti i BE, hetim kujtdo që u kap nga vettingu

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka deklaruar të hënën se të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që kanë ngecur në vetting do të japin llogari para drejtësisë për pasurinë e vënë në mënyrë të paligjshme. Duke iu referuar edhe njëherë rastit të prokurorit të Durrësit Arjan  Ndoja për të cilin, kryeministri tha se bashkëpunon me bandat e krimit, Rama foli në përgjithësi se ai dhe kolegët e tij të zhytur në llum do të dalin para drejtësisë, pasi ky është kusht i BE-së.

“Ju e patë vetë javën e kaluar një rast flagrant i shkeljes së ligjit dhe jo vetëm por edhe i transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë të përfaqësues të interesave të krimit ku sigurisht nuk do i shpëtojë ndëshkimit, por kur vjen puna te ndërhyrja në proces është e pamundur për qeverinë dhe pushtetin ekzekutiv. Se kushtetuta përcakton qartë kufizimet që ne kemi, pavarësisht se mund të jetë e drejtë ajo që qytetari kërkon pas një padrejtësie në dyert e gjykatave. Pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka edhe një efekt negativ të përkohshëm por të rëndë për qytetarët, pasi shumë prokurorë dhe gjykatës të zhytur deri në fund dhe e dinë se nuk do e kalojnë po e shfrytëzojnë duke thënë ‘të kapim çfarë të kapim’. Sistemi i ri i drejtësisë kërkon kohë, ndërsa vettingu do ta pastrojë dhe sistemi do të ndëshkojnë ata që janë nxjerrë.

Më vjen mirë që është kthyer në kusht nga BE dhe të jenë të sigurt që do të rikthehen për të dhënë llogari për pasuritë e tyre dhe ata që bëjnë krime ndaj qytetarëve për të përfituar para të zezë për të marrë ‘rroga’, shpërblime nga organizata kriminale, drejtësia mbi ta mund të vonojë edhe ca, por nuk do të harrojë. Ka arritur në 793 numri i masave ndëshkimore falë hetimeve administrative nga platforma. 46 masa në proces për nëpunës, shefa apo drejtues zyrash. Atyre që i bien shkurt dhe thonë se kështu duhet të funksionojë shteti duke shkuar deri te qeveria, u them se kështu funksionon kudo edhe në shtetet më të zhvilluara”, tha kryeministri gjatë takimit me qytetarët në kuadër të platformës së bashkëqeverisjes.

Gjatë seancës parlamnetare të së enjtes, Rama akuzoi prokurorin e Durrësit ndërsa tha se ai mbështet organizatat kriminale dhe i bën shantazh shtetit. Ndërsa të shtunën Erjon Braçe zbuloi emrin e Arjan Ndojës, “duke thënë se prokurori i çështjes së Liridon Pulës, drejtor i Kadastrës Shtetërore në Durrës, që u la në burg, mbështet një grup kriminal në Durrës”. Arjan Ndoja nuk e ka kaluar ende procesin e vettingut, ndërkohë që analiza e pasurisë tregon se ai e ka 10-fushuar pasurinë brenda 4 vitesh. Nga ana tjetër një nga kushtet e vendosur nga Bundestagu gjerman për Shqipërinë është “fillimi i procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e Vetingut”./realstory.al



Skip to toolbar