Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka qenë i ftuari i mbrëmjes në emisionin “RealStory” të gazetarit Sokol Balla, ku ka folur për disa tema, duke nisur nga marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë e deri te çështja e negociatave me Serbinë.
Fillimisht ai ka sqaruar pse mbledhja mes dy qeverive (që në fakt ishte grupi koordinues midis dy vendeve) u zhvillua pa praninë e dy Kryeministrave, Edi Rama për Shqipërinë dhe Ramush Haradinaj për Kosovën.
“Kjo nuk ishte mbledhje e dy qeverive. Në Pejë ne krijuam një grup monitorues për marrëveshjet e firmosura nga dy qeveritë tona. Ky takim në këtë lloj formati është i treti që mbahet”.
“Është një nga takimet e radhës, për afatin e zbatimit të marrëveshjeve që kemi firmosur. Pra këtu nuk ka asgjë të bëj me prezencën apo mos prezencën e dy kryeministrave”, ka thënë Limaj.