Rama mesazh “bosëve”: Informalitetin do ta paguani me qimet e kokës

AKTUALITET


Aksioni kundër informalitetit është marrë seriozisht nga qeveria dhe vetë Kryeministri Edi Rama është angazhuar të përcjellë çdo ditë mesazhe dhe thirrje drejtuar pronarëve të bizneseve që të paguajnë detyrimet që kanë ndaj shtetit, ndryshe do ta paguajnë shtrenjtë.

Me anë të një shkrim të bërë publik në mediat sociale Rama ka thënë se nuk do të tolerohet askush në luftën e qeverisë kundër informalitetit dhe për ata që cenojnë konkurencën, konsumatorin dhe shtetin.


“Koka bën koka pëson dhe nuk thotë kot populli, tahmaja e madhe të le pa gjë.

Vazhdoni bosa vazhdoni, luani si miu me macen me shtetin e me konsumatorin, se do ta paguani me qimet e kokës këtë lojë; kush më shpejt e kush më vonë, o do futet në Rreshtin e Ligjit, o do mbetet me gisht në gojë.

Zero Tolerancë për këdo që fut duart në xhepat e njerëzve sa majtas e sa djathtas dhe prek arkën e shtetit”- shkruan Rama në facebook duke sqaruar se ligji do t’i prekë të gjithë qofshin të majtë apo të djathtë.

Pas lokaleve dhe hoteleve aksioni kundër informalitetit tani është përqëndruar tek pikat e karburanteve. Gjatë të premtes drejtoresha e Tatimeve Ibrahimaj deklaroi se do të kalojnë në sitë mbi 1200 pika karburantesh.




Skip to toolbar