Miratimi i “IBAR”/ Rama: Thanë negociatat u bllokuan, por Shqipëria përsëri fitoi

Më të fundit


Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zhvillimeve më të fundit në procesin e integrimit europian të vendit, ku u miratura raporti i IBAR, lidhur me negociatat me BE.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te akuzat e opozitës, duke deklaruar se deklaratat e tyre për bllokim të negociatave dhe izolim të Shqipërisë kanë rezultuar të pavërteta.

Megjithëse opozita u lëshua rrugëve me molotovë, sipas Ramës, ata humbën dhe Shqipëria përsëri fitoi.

“Mirëmëngjes. Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua. U lëshuan  rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje. Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi.

Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton.

Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE.

Urime të gjithëve e mbi të gjitha faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje, që na beson e na mbështet në rrugën e këtij misioni historik. Forca Shqipëria”, shkruan Rama.



Skip to toolbar