Në një kohë kur opozita joparlamentare do të jetë në protestën e shtatë kombëtare të thirrur prej tyre, Partia Socialiste dhe kryeministri Rama çelën fushatën elektorale në Lezhë me kandidatin e këtij qarku, Pjerin Ndreu.
Tubimi në Lezhë është hapur nga Pjerin Ndreu, i cili u foli për qytetarëve të Lezhës teksa u prezantua si kandidat i PS për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. “Lezha është qyteti më i bukur, por i mungon një gjë, i mungojnë njerëzit për ta nxjerrë nga atje ku ka rënë sot. Kurrë më parë Lezha nuk ka pasur pushtet lokal më të dobët se sot, që keqpërdor fondet, kurrë nuk ka pasur kaq pak investime. Ndaj jemi këtu sot, të besëlidhemi për Lezhën. Fitorja jonë është e padiskutueshme. Në 30 qershor do betohemi por jo për kishën e Laçit. Ai është një vend ku pastrohet shpirti. Në 30 qershor ne do transformojmë Lezhën. Do matemi me Fierin dhe Tiranën. Kryegjumashi bëri një vrimë në ujë dhe me 30 qershor do ta bëjmë bashkë me ata që mbajnë peng Lezhën. Lezha nuk ka nevojë jo vetëm për një kryetar bashkie por për mbështetjen e qeverisë që ju ia keni dhënë me investimet e bëra, me projektin e rrugës Milot-Balldren”, deklaroi Ndreu.
Më pas, fjalën e ka marrë kryeministri Rama, i cili nuk i kurseu akuzat ndaj opozitës dhe kreut të PD, Lulzim Basha. “Duket si një betejë pa një kundërshtar, por është betejë mes të shkuarës dhe të ardhmes. Ata kanë frikë nga zgjedhjet, kanë frikë të vijnë përpara popullit, nga ballafaqimi me ne ndaj dhe përbetohen rrugëve se do na imponojnë një përplasje antidemokratike të dënueshme nga ligjet e këtij vendi”, tha Rama.
Më tej, kreu i PS deklaroi se zgjedhjet pa opozitën janë antidemokratike kur ajo pendohet të hyjë në zgjedhje. “Imagjinoni çfarë rrumpalle do bëhej ky vend nëse zgjedhjet do shtyheshin sa herë do një parti”, deklaroi Rama. Madje, ai nuk kurseu as ironinë kur iu drejtua të pranishmëve: “E keni parë filmin Beni ecën vetë kur Beni bërtet në pyll me zë të lartë. Ashtu janë dhe ata, të alarmuar nga reforma në drejtësi”.
Ndërsa për kërcënimet se nuk do të lejohen zgjedhjet e 30 qershorit, Rama tha se opozita mund të thyejnë kokën e tyre dhe ndonjë xham se Shqipërisë nuk kanë ç’t’i bëjnë.
Rama nuk kurseu as batutat për Pjerin Ndreun. “Pjerin Ndreu është shumë kokëfortë, i shkon gjërave deri në fund. Kur erdhi tek unë i thashë provo të bëhesh deputet, nëse të zgjedhin kandido për kryetar bashkie. Ju vetë e propzouat si kandidatin e vetëm për Lezhën. Shpresoj që era e detit të mos ia marrë kokën si ato balonat që ngre Luli para kryeministrisë. Unë do ta mbështes me çdo mundësi”, tha Rama.
Në përfundim kryeministri Rama paralajmëroi sërish protestuesit: Mos bëni burg se do opozita! “Me 30 qershor ndahet e shkuara nga e ardhmja”, përfundoi ai.