Haradinaj, Tirana: Sfidë për pafajësinë

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një mesazh në twitter në lidhje me thirrjen për në Hagë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ish kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, duke shkruar se këto thirrje janë një sfidë për të vërtetuar deri në fund pafajësinë.

Rama gjithashtu shkruan se kjo sfidë është edhe për Kosovën për të treguar se është në anën e duhur të historisë.

“Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK, janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20 vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë”, shkruan kryeministri Rama.

Por kreu i qeverisë shqiptare nuk e ka përmendur aktin e Haradinajt i cili bëri publike dje dorëheqjen nga posti i kryeministrit, ndërsa thirrjen nga gjykata speciale e cilësoi si një presion të ndërkombëtarëve ndaj Kosovës për heqjen e taksës 100% për mallrat serbe.

Kujtojmë se më herët Rama dhe Haradinaj kanë pasur një debat në lidhje me taksën ndaj mallrat serbe. Në samitin e Berlinit, Haradinaj tha se Rama dhe Thaçi kanë mbështetur thirrjen e ndërkombëtarëve që Kosova të heqë taksën duke i bërë atij presion. Deklarata këto që janë rrëzuar nga Rama dhe më pas mosmarrëveshjet mes tyre janë sheshuar. Vetë Rama e ka cilësuar taksën ndaj mallrave serbe, si një “klithmë” të një kombi për të njohur pavarësinë e tij.



Skip to toolbar