Rama, të premten në Berlin për negociatat. Gjermania ndez dritën jeshile

AKTUALITET


Duket se Gjermania do t’i ndezë dritën jeshile Shqipërisë për të vijuar në rrugën e gjatë të integrimit evropian që nis me çeljen e negociatave më 18 tetor të këtij viti, kur pritet që Këshilli i Evropës të miratojë propozimin e Komisionit Europian që vendi ynë të nisë negociatat për anëtarësim në BE.

Pritet që të premten e javës së ardhshme, më 13 shtator, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama të zhvillojë një vizitë zyrtare punë në Berlin ku do të zhvillojë takime të rëndësishme të nivelit të lartë me të cilët do të bisedojë për mundësinë e çeljes së negociatave për Shqipërinë, përmbushjen e detyrimeve nga qeveria, por edhe ndonjë kërkesë apo kusht të ri që mund të kenë ndërkombëtarët. Nuk dihet ende nëse në axhendën e Kryeministrit është parashikuar një takim me kancelarin gjermane Merkel. Më herët Rama është pritur ngrohtë nga Merkel dhe ka marrë mbështetjen e saj për procesin integrues të Shqipërisë.

Ndërkaq po gjatë javës së ardhshme Tiranën zyrtare do ta vizitojë një delegacion nga grupi parlamentar CDU/CSU, që i përkasin partisë së kancelares gjermane, Angela Merkel. Delegacioni i Bundestagut gjerman do të drejtohet nga nënkryetari i Grupit Parlamentar të CDU/CSU-së Johann David Wadephul dhe do të zhvillojë takim me krerët më të lartë të politikës shqiptare ku në fokus do të jetë pikëtisht tema e çeljes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Deutsche Welle raporton se një pjesë e madhe e deputetëve të CDU/CSU-së janë të prirur t’i japin Shqipërisë një “Po! me kushte”, por ka edhe një pakicë të vogël, që mendon se Shqipëria nuk është ende gati as për këtë. Përveç kushteve të formuluara edhe më parë në lidhje me reformën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drogës, reformën zgjedhore, pritet të shtohen edhe kushte të tilla si, zqarimi i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të qershorit 2019, si edhe sqarimi i akuzave për shitblerjen e votave në disa zona. Vendimin përfundimtar grupi i CDU/CSU-së pritet ta marrë në datën 24 shtator. Qëndrimi i CDU/CSU-së duhet të jetë i njëjtë me atë të qeverisë gjermane dhe të partnerit të koalicionit SPD. Kjo e fundit, dhe Ministria e Jashtme e drejtuar prej saj, është shprehur qysh më parë për një fillim të menjëhershëm të negociatave me Shqipërinë. Nëse palët arrijnë t’i unifikojnë qendrimet e tyre, pritet që më 27 shtator ky qëndrim të votohet në seancën plenare të Bundestagut.

Vendimi që Gjermania do të marrë për Shqipërinë është mjaft i rëndësishëm, dhe pritet të ndikojë edhe tek vendet e tjera skeptike, siç janë Franca dhe Holanda. Më 18 tetor Këshilli i Europës do të thotë fjalën e fundit në lidhje me çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë.



Skip to toolbar