“Synimi kryesor i qeverisë është që të nxisë turizmin në të gjithë vendin në të gjitha mënyrat’, ky ishte mesazhi që kryeministri Edi Rama dha nga fshati Lin i Pogradecit.
Gjatë takimit me banorët, Rama u kërkoi atyre që shtëpinë të mos e përdornin vetëm për t’u strehuar por ta kthenin atë në një burim të ardhurash duke e kthyer në një bujtinë. Rama theksoi se çdokush që kërkon ta kthejë shtëpinë e tij në një bujtinë me parametrat që kërkon ligji do gjej mbështetjen e plotë financiare nga ana e qeverisë. “Për nismat individuale të atyre qytetarëve që kërkojnë të kthejnë shtëpinë ë tyre ne bujtinë, do kenë mbështetjen e plotë financiare nga ana e qeverisë në formën e huasë,” tha Rama.
Duke prezantuar projektin “100 fshatrat” Rama theksoi nevojën e shfrytëzimit në maksimum të bukurive natyrore për turizëm, si një nga bazat e zhvillimit të ekonomisë
“Nëse ky fshat kthehet në resort turistik ku çdo pronar shtëpie merr fitimin do fillojnë të rriten edhe çmimet ekzistuese. Ne do bëjmë disa ndërhyrje për ta kthyer këtë fshat në një model të suksesshëm transformimi në këto vite që nis mandati i ri me kryetarin e ri të bashkisë. Unë besoj që këtu kemi një aleat shumë të madh që është natyra e mrekullueshme dhe trashëgimia e pasur dhe na duhet të bashkojmë forcat. Nga një drejtim ju për të bërë më shumë bujtina dhe nga ana tjetër ne me mbështetjen financiare“, tha Rama.