Rambo sot në Hagë: I palëkundur në vendimet e mia

KOSOVA


Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se të martën do të udhëtojë për në Hagë, ndërsa Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, njëherësh ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është nisur që të martën në mëngjes drejt Holandës ku është thirrur nga Gjykata Speciale për tu marrë në pyetje.

Haradinaj të premten e javës së kaluar ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Hagës për t’u intervistuar. Kjo ishte edhe arsyeja që Haradinaj dha dorëheqje nga posti i Kryeministrit. Të hënën, Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se të martën do të udhëtojë për në Hagë. Ndërsa pak minuta para nisjes, ka bërë një publikim në Facebook. “Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë”, ka shkruar Haradinaj. Ai ka shtuar se Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. “Por, tregun e japim vetëm për njohje”, ka përsëritur qëndrimin e tij Haradinaj.


“Kur shkon kryetari i Qeverisë, e bart nocionin, rrezikohet nocioni i sovranitetit. E krijojmë një precedent të keq kur shefi i Qeverisë së shtetit është i dorëzuar diku, unë nuk ia kam bërë këtë Kosovës. Nuk është se unë iu iki përgjegjësive, por s’kam dashur ta çoj Kosovën para hetuesve, e kam çu Ramushin. Nuk e çoj Kryeministrin, as Kosovën para hetuesve, ashtu si ka pasë me i ndodhë Kosovës do të ishte një precedent, një model i keq i shtetit, do të ishte një dëshmi që ne jemi të prekshëm”, ka thënë Haradinaj.

Thirrje për në Hagë mori edhe Krasniqi, i cili është nisur të martë në mëngjes. Këtë e ka bërë të ditur deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, i cili ka publikuar një fotografi në Facebook. Në fotografi, Krasniqi shihet në Aeroportin e Prishtinës, i shoqëruar nga Sherifi dhe zyrtarë të lartë të partisë.




Skip to toolbar