Raport për pallatet e Thumanës? Çuçi: Ta zbulojë prokuroria

AKTUALITET


Ministri fuqiplotë për situatën emergjente për fatkeqësitë natyrore, Bledi Çuçi ka deklaruar në Real Story të Sokol Ballës se çështja e një raporti që përflitet për pallatet e rrëzuara në Thumanë, i takon prokurorisë për t’u hetuar dhe ka shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse kishte informacion mbi një raport të tillë, pavarësisht se më herët, kreu i emergjencave civile, Haki Çako është shprehur se nuk ekziston një raport i tillë.

Raporti që thuhet se i kishte shpallur pallatet të pabanueshme është rikthyer në vëmendje edhe nga opozita, e cila i ka drejtuar disa pyetje autoriteteve për të marrë informacion, por deri tani nuk ka një përgjigje ekzakte nëse ka pasur një raport apo jo dhe çfarë ka qenë e shkruar në atë raport, për të nxjerrë përgjegjësitë, për të cilat Rama ka kërkuar që të faktohet çdo abuzim qoftë na nëpunësit shtetërorë, qoftë nga ndërhyrjet individuale dhe subjekteve private.

Pikërisht për këtë çështje, gazetari Sokol Balla ka pyetur ministrin Çuçi në një lidhje direkte nga Durrësi, duke deklaruar se ka një tendencë në rritje të presionit për të gjetur fajtorët e disa prej ndërtimeve që u shembën në mënyrë të çuditshme, duke përmendur këtu dhe Partinë Demokratike. “Opozita e ka filluar me Thumanën, e cila ka ngritur disa pikëpyetje. Meqë e keni situatën nën kontroll, e keni nën kontroll edhe për këto raste si Thumana. A ka një raport vlerësimi? Dhe nëse ndonjë ka qenë i pabanueshëm, pse janë lejuar banorët të kthehen”, pyeti gazetari Balla.

Por ministri Çuçi, i cili është edhe kreu i komitetit të ngritur për këtë emergjencë, iu shmang një përgjigjeje të drejtpërdrejtë. “Kjo çështje i takon organeve kompetente për t’u hetuar. Unë personalisht kërkoj me forcë që të hetohet deri në fund çdo neglizhencë e institucioneve dhe do të ndëshkohet deri në fund çdo përgjegjës, por nuk është një çështje që më takon mua si drejtues i operacionit të emergjencës. Absolutisht jam në dispozicion të plotë të prokurorisë, ashtu siç kam qenë në çdo moment për hetimet e nisura. Kam qenë në dispozicion për të plotësuar dosjet procedurale penale”, deklaroi Bledi Çuçi.

Gazetari Sokol Balla këmbënguli sërish, duke pyetur: Ju po thoni që nuk e keni sot një informacion lidhur me pallatet e Thumanës në raport me tërmetin e 21 shtatorit?

“Ajo është çështje e prokurorisë, ajo do të hetojë nëse ka pasur dëmtime, nëse ka pasur një vendim dhe çfarë ka ndodhur. E gjitha është çështje e prokurorisë. Janë strikt detyra që i përkasin organeve të ndjekjes penale”, deklaroi Çuçi.



Skip to toolbar