Rindërtimi pas tërmetit, Vasjari pesimist: Nuk do i zgjidhim kollaj pasojat

#NËRADAR


Analisti Arian Vasjari foli me nota pesimiste, lidhur me pasojat dhe menaxhimin e situatës pas tërmetit. Në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, Arian Vasjari tha se tërmeti nxori zbuluar “kapitalizmin e kamufluar”. Ai shtoi se “pushteti lokal dhe ai qendror”, gjithashtu dolën zbuluar dhe u tregua se kanë dështuar.  “Tërmeti zbuloi kapitalizmin ton të kamufluar. Tërmeti zbuloi dështimin e pushtetit lokal dhe atij qendror. Tërmeti bëri kolaudimin e politikës dhe kapitalizmit. Bumi i ndërtimeve ishte fllusk. Kapaciteti i politikës për ta administruar ka kapuar kuotat e tij fatale”, tha Vasjari.

Arian Vasjari nuk beson se nga situata aktuale, duke iu referuar klasës politike, do të ketë të fituar. Ai u shpreh se nga kjo situatë tragjike nuk ka të fituar, ndërsa shtoi se pasojat në politikën shqiptare do të vazhdojnë gjatë.  “Unë nuk shikoj fitimtar në këtë histori tragjike. Kam dyshime të forta, se deri në sot jemi përballur me dëme materiale. Me dëmet politike të tij do të ndeshemi në një kohë të gjatë. Ne duhet të jemi shumë të sinqertë me ata fatkqinj. Ky është një kod i zi, ne nuk do i zgjidhim kollaj pasojat e këtij tërmeti. Mua më duket e tmerrshme që mbi tërmetin ka debate politike. Politika jonë e ka bërë kapitalizmin antihuman. Jam pesimist në këtë dëshpërim të madh që na ka kapur të gjithëve”, tha Vasjari.


Ndërkohë, ai i quajti iluzione pritshmëritë e mëdha për ndihma nga Europa. Vasjari solli në kujtesë rastin e tërmetit në Akuila në Itali, ku Europa kontribuoi vetëm me rreth 1 miliardë euro, ndërkohë që dëmet llogariteshin mbi 22 miliardë euro. “Kjo e ndihmave nga Europa është një iluzion fatal. Shpresat që ne duhet të kemi te ndërkombëtarët, për të kaluar këtë histori, nuk duhet të kemi pritshmëri. Në Akuila dëmi ishte rreth 22 miliardë euro, ndërkohë që Europa dha vetëm 1 miliardë euro. Ne do të kemi shumë probleme. Ne kemi ligj që është bërë para pesë muajsh për mbrojtjen civile. Ai ligj është jo i shkelur me këmbë, por i grisur. Nuk shikoj fitues në këtë tragjedi”, tha Vasjari. /Realstory.al




Skip to toolbar