Raundi i parë i bisedimeve të tërthorta për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit ka përfunduar pa ndonjë përparim konkret, ka bërë të ditur për BBC një zyrtar palestinez i njohur me negociatat.
Sipas burimit, sesioni zgjati rreth tre orë e gjysmë dhe u zhvillua në dy ndërtesa të ndryshme në Doha, ku mesazhet dhe sqarimet u shkëmbyen përmes ndërmjetësve nga Katari dhe Egjipti. Megjithatë, nuk u arrit ndonjë progres i prekshëm.
Zyrtari shtoi se bisedimet pritet të rifillojnë të hënën, kur ndërmjetësit planifikojnë të zhvillojnë takime të ndara me secilën palë, me synimin për të kapërcyer pengesat aktuale dhe për të ngushtuar dallimet mes tyre. Sipas mediave mediave të huaja delegacioni izraelit nuk ka qenë “mjaftueshëm i autorizuar” për të arritur një marrëveshje, pasi nuk kishte “kompetenca reale”.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndodhet rrugës për në Uashington, ku pritet të takohet me ish-presidentin amerikan Donald Trump. Netanyahu shprehu besimin se takimi i planifikuar për të hënën do të ndihmojë në përparimin e përpjekjeve për lirimin e pengjeve të mbetura dhe arritjen e një armëpushimi në Gaza.
Ai deklaroi se u ka dhënë negociatorëve të tij udhëzime të qarta për të arritur një marrëveshje armëpushimi, në përputhje me kushtet që Izraeli tashmë i ka pranuar.
Nga ana tjetër, Hamasi ka deklaruar se i është përgjigjur propozimit të fundit për armëpushim me “frymë pozitive”, por duket se mes palëve ende ekzistojnë mospërputhje që duhet të tejkalohen për të arritur një marrëveshje përfundimtare.
Hamasi vazhdon të këmbëngulë në kërkesat e tij të përsëritura, përfshirë garancinë për përfundimin përfundimtar të luftimeve pas përfundimit të një armëpushimi dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza – kushte që qeveria izraelite i ka refuzuar më herët.
Pozicioni i Izraelit, gjithashtu, duket se nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh. Gjatë nisjes drejt SHBA-së, Netanyahu theksoi se mbetet i përkushtuar ndaj tre objektivave kryesore: “Lirimi dhe kthimi i të gjithë pengjeve – të gjallë apo të rënë; shkatërrimi i kapaciteteve të Hamasit për ta larguar nga aty dhe sigurimi që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin”.
Ndërmjetësit nga Katari dhe Egjipti përballen me sfida të mëdha në përpjekjet për të kapërcyer pengesat që kanë penguar arritjen e një marrëveshjeje, që prej përfundimit të armëpushimit të mëparshëm në mars.
Që nga ajo kohë, Izraeli ka rifilluar ofensivën ndaj Hamasit me intensitet të lartë, ndërkohë që ka vendosur një bllokadë 11-javore ndaj ndihmave për Gazën, e cila është lehtësuar pjesërisht vetëm disa javë më parë.
