Kreu i Bashkisë Bulqizë: Montazh, vazhdim i telenovelës Babale nga PD

POLITIKË


Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla ka refuzuar në mënyrë kategorike të jetë ai personi që shfaqet ne video në një lokal duke pirë kokainë. Në videon, që u paralajmërua fillimisht nga Partia Demokratike dhe u publikua më pas nga gazetari Artan Hoxha, pretendohet se në të është kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla.

Përmes një reagimi në facebook, Alla shprehet se ky është një montazh i ulët i krijuar nga Partia Demokratike për ta sulmuar atë politikisht. Alla e cilësoi videon si vazhdim të “telenovelës” Babale, ndërsa tha se ish deputeti demokrat Ervin Salianji do të përballet në gjykatë për akuzat e hedhura ndaj tij.


“Është për të ardhur keq kur një parti që ka bërë histori në këtë vend, një parti që pretendon se është alternativë qeverisëse, e redukton aksionin e vet politik në montazhe e transmetime videosh me Babale. Por, është akoma më kriminale kur kjo parti, e koordinon aksionin e vet politik me grupe biznesi e grupe kriminale, që dikur plaçkisnin pasurinë e Bulqizës me bekimin e Partisë Demokratike. Dhe sot, që Bulqizën nuk e drejton më PD dhe atyre ju është prerë rruga e grabitjes, kthehen të gjithë bashkë në montazhierë për të më shantazhuar mua!

Montazhi që po shfaqin sot është seria e radhës e telenovelës Babale, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi Babalen e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë e do të përballet me gjykatën edhe për këtë rast. Nuk ka shanse që t’ju ecë ky shantazh.

Unë nuk jam në detyrë për të kënaqur orekset e mbushur xhepat e klientëve të PD që për vite me radhë e kthyen Bulqizën në një parajsë për grabitje e ferr për qytetarët. Jam këtu për të punuar për qytetarët e thjeshtë dhe jam krenar që një nga punët më të mira që kam bërë ka qenë largimi i asaj tufe grabitësish që sot montojnë video në SHQUP”, shkruan Alla.




Skip to toolbar