Lefter Alla te SPAK: Bëj testin e drogës

POLITIKË


Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla do të përballet me testin e drogës duke dorëzuar kampion gjaku dhe urine në laboratorët e Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ai është paraqitur të premten për herë të dytë në dyert e SPAK për të dëshmuar lidhur me videon ku pretendohet se ai po konsumon kokainë në një lokal. SPAK nisi të enjten hetimet për Allën dhe ky hetim tashmë ka hyrë në fazën e verifikimit të autenticitetit të videos pas sekuestrimit të origjinalit dhe i ka kërkuar kryebashkiakut të bëjë testin e drogës.

Këto analiza do të vërtetojë nëse Alla është konsumues droge apo jo dhe përgjigja e saj do të jetë baza e kësaj çështje penale dhe që mund të shtyjë prokurorët të ngrenë akuzë për kryebashkiakun e Bulqizës. Video origjinale është dorëzuar në SPAK nga gazetari Artan Hoxha, i cili dhe e bëri atë publik për mediat. Ekspertimi i videos do kryhet nga ekspertët e laboratorit të policisë shkencore në Ministrinë e Brendshme, ku do të provohet nëse personi që shfaqet me shpinë në video duke pirë kokainë, është ose jo Lefter Alla.


Kryebashkiaku i Bulqizës u paraqit të enjten për herë të parë për të dëshmuar në SPAK para prokurorit të çështjes Ened Nakuçi, ku qëndroi rreth 1 orë e 20 minuta. Pas dëshmisë në SPAK, Alla, i shoqëruar nga avokati i tij Petrit Ismaili, nuk është prononcuar për mediat duke thënë shkurt se çështjen e pezullimit të tij e ka në dorë drejtësia.

Përmes reagimeve të tij publike, Lefter Alla ka mohuar të jetë personi në video, ndërsa akuzon PD për montazh së bashku me një televizion lokal si dhe ka deklaruar se për këtë do të padisë ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji. Ndërsa në lidhje me rastin deputetët e PS janë shprehur se nëse vërtetohet se është ai në video, atëherë “përgjegjësia është personale”.




Skip to toolbar