Realstory.al zbuloi ekskluzivisht të martën në mbrëmie, qëllimin e vërtetë të kërkesës që Presidenti i Repubulikës Ilir Meta i drejtoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të ditur në rrugë zyrtare, numrin e deputetëve që ka aktualisht Parlamenti. Në fundin e javës së kaluar, kur dhe u zbardh veprimi i Ilir Metës, të gjithë krijuan përshtypje, përfshi dhe Realstory.al, se kjo lëvizje ishte hapi i parë i presidentit drejt shpërndarjes së Parlamentit. Mirëpo, arsyeja nuk ishte kjo, Ilir Meta, siç zbuloi të martën Realstory.al, po përgatitet për të mbrotjur veten, duke i bërë parapri një vendimi final të Kuvendit për shkarkimin e tij me 94 vota, çka mazhorancës do t`i duhen edhe votat e deputetëve të rinj për të plotësuar korumin e nevojshëm për të shkarkuar kreun e shtetit.
Pikërisht, tek deputetët e rinj qëndron “thembra e Akilit” për Ilir Metën. Ai, pritet të përgatisë dosjen e mbrojtjes për shkarkimin nga parlamenti, ku do të cilësojë si të paligjshëm deputetët e rinj, që morën mandatet e dorëzuar në shkurt të këtij viti nga PD dhe LSI. Meta do të kapet pikërisht te verifikimi i dorëzimit të mandateve të opozitës në shkurt, ku në disa prej formularëve të firmosur nga ish-deputetët e PD-LSI, përfshi dhe atë të Monika Kryemadhit, ka pasur parregullsi.
Ndërkohë, shkrimin e plotë të Realstory.al e lexoni këtu!
Por gjithë kjo ndodhi para se kryetarët bashkive të drejtuar nga të zgjedhurit e PD-LSI të ndërmerrnin hapa konkret për vënien në zbatim të skenarit të pengimit të zgjedhjeve, duke mësyrë në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Tashmë situata ka kaluar përtej një tensioni normal, duke shënuar edhe të plagosur mes militantëve të PD-së apo punonjësve të policive bashkiake të kësaj force politike, të cilët po zbatojnë urdhrat e shefave të tyre për të djegur e shkatërruar materialet zgjedhore. Në fakt, nuk është as më shumë e as më pak, por ajo që zëdhënësi i Ilir Metës, Tedi Blushi, lajmëroi pak ditë më parë “se parlamenti i ‘çunave të Shijakut” do të merrte përgjigjen e merituar nga qytetarët shqiptarë”. Sot trekëndëshi Presidencë-PD-LSI, po vë në zbatim skenarin e pengimit të zgjedhjeve.
Por kujt po i shërben më shumë ky skenar? Kauzës së opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme? Apo është pasojë direkte e dekretit të 8 qershorit të Metës? A është kjo beteja e kreut të shtetit, për të mos ikur me asnjë mënyrë e me çdo mjet nga Presidenca? Këtë të mërkurë në Burrel është plagosur një militant i Partisë Demokratike, Alfred Lika. Ky i fundit, sipas vetë deklaratës së PD-së “ishte duke zbatuar dekretin e Presidentit, në mbrojtje të Kushtetutës”. Cituar kjo nga një njoftim shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit e selisë Blu.
Aktet e dhunshme të së mërkurës bien ndesh me argumentin e Presidentit. Ai argumentoi se protesta e 8 qershorit do të kishte përfunduar në akte dhune të pallogaritshme atë natë, nëse s`do dilte dekreti i tij. Por cili është rezultati sot, dhjetë ditë më vonë?
Situata është tensionuar dhe ka ndezur vatrat e para të konfliktit, pikërisht për shkak të atij dekreti, apo në “mbrojtje” të atij dekreti. Kjo situatë, e cila pritet të kalojë një të enjte “përvëluese” më 20 qershor, mund të jetë prologu i një tensioni dhe më të madh të premten më 21 qershor, ku vatrat e konfliktit për momentin vetëm nëpër bashkitë e djathta, të ndizen përballë Kryeministrisë në protestën e thirrur nga PD-LSI, në Tiranë. Por a do të kenë guximin për ti shkuar deri në fund këtij skenari?!
Të mërkurën pasdite presidenca nxitoi të shpërndante një letër qe Meta ja ka dërguar OSBE dhe kreut të saj Lajçak, të cilin së bashku me disa të tjerë i quajti para disa ditësh ngatërrestarë. A është kjo shenjë se skenari i ditëve të fundit, që mund të kulmojë në 21 qershor, është një mjet final presioni për të bërë që ndërkombëtarët të ndryshojnë mendje për 30 qershorin? A është kjo përpjekja finale për të legalizuar një dekret, që sot është shkaku kushtetues për shkarkimin e Metës? A është fakti më i fundit i asaj që paralajmëruam një ditë më parë, se e gjithë kjo nxitje e rrëmujës, është në fakt vetëm një përpjekje e Ilir Metës për të shpëtuar jo vetëm Presidencën, por veten e tij, pas dekretit të diskutueshëm të 8 qershorit, që amerikanët e quajnë vetëm “njoftim”?
Ndërkohë përballë, Komandant Iliri dhe të tijët, kanë përballë maxhorancën, e cila nuk është e qartë në qëndrime sesa është në fjalë. Duket se kur ndërkombëtarët thonë se “zgjidhjen ta gjejnë vetë shqiptarët”, nënkuptojnë edhe përgjegjësinë dhe vendosmërinë e qeverisë për të mbajtur zgjedhjet në 30 qershor. Për këtë mbështetja e tyre nuk ka munguar për kryeministrin Rama. Por të mërkurën mesazhet e maxhorancës kanë qënë kontradiktore. Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ashtu si dhe Policia e Shtetit, kanë bërë thirrje për distancim nga aktet e dhunës dhe pengimi i zgjedhjeve, pasi urdhëruesit e këtyre akteve do të përballen me ligjin. Por ndërsa kemi patur deklarime direkte të bashkiakëve demokratë, nga Voltana e Molotovëve e deri te Frani i tokave të Lezhës, ndërsa kreu i Kavajës jep ultimatume si Berisha në 9 mars 1997, ndërsa në Kukës policët sulmohen si kafshët nga disa mbështetës të PD, qeveria (ajo e llafeve të Lleshit dhe e nje ligji që gjoja nesër kalon në kuvend kundër krimit zgjedhor, por që s’do ketë asnjë efekt për dhunuesit e para 30 qershorit), “Policia ka vepruar me profesionalizëm për të shmangur përshkallëzimin e situatës”.
Të paktën, kështu u shpreh zëvendës ministrja e Brendshme Rovena Voda për të justifikuar tërheqjen përballë njerëzve në Kukës. Por a është Kukësi pjesë e Shqipërisë, që drejton Edi Rama? A është kjo shenjë e një paqartësie, pasigurie dhe tërheqjeje e maxhorancës përballë dhunës politike të paralajmëruar nga Meta, Berisha dhe Basha? Sot është momenti që maxhoranca të marrë përgjegjësitë e qeverisjes së vendit. Ajo nuk mund të presë me kompjuterin hapur, në pritje të ndonjë emaili nga Uashingtoni ose Lajçak. Ja dhe deklarata nga Lajçak erdhi. Po sa e ndryshon kjo situatën? Sa e forcon kjo deklaratë veprimin e qeverisë? Dhuna vazhdon. Nga Shkodra e Voltanës, e deri tek Delvina e Balilëve. Ajo ose duhet të vendose ruajtjen e ligjit dhe të rendit publik, ose të tërhiqet tani, siç thotë zëvendësministrja Voda. Nëse si Voda, mendon dhe kryeministri, se skenari do ketë viktima, dhe ata nuk e ndalkan dot, vecse duke u tërhequr, atëherë më mirë të tërhiqen tani sesa kur të vriten njerëz në 30 qershor. Këtë e ka paralajmëruar Meta, Berisha dhe tani po e thonë edhe grekët. Tërheqja sigurisht do kishte siklet dhe turp brenda pasi prej 5 muajsh, Rama i thotë njerëzve se ka zgjedhje në 30 qershor. Por nëse këtë është i paaftë ta sigurojë, atëherë më mirë të tërhiqet.
Mund të humbasë “betejën” bulliste përballë një opozite të dhunshme drejtuar nga një President i papërgjegjshëm, mund të humbasë besimin e ndërkombëtarëve tek Edi Rama si një lider i qendrueshëm, por të paktën nuk bëhet pjesë qoftë dhe padashje e skenarëve të përgjakshme të kokave të nxehta të Tiranës. E rëndësishme është të mos tërhiqet, si pasojë e një pazari. Edi Rama e di mirë përse ndërkombëtarët këmbëngulin që ai të mbajë zgjedhjet në 30 qershor. Se beteja e vërtetë fillon më pas: ajo Për SPAK.
Shqipëria nuk do ta humbasw luftën përballë të shkuarës dhe të keqes. Thjesht dikush e shtyn atë në kohë. E shtyn. Ky është suksesi i vetëm i dekretit personal të Ilir Metës, njëlloj si ato të Berishës në 1997: Që shtyn udhëtimin pa biletë kthyese të së shkuarës. Kemi pritur 30 vjet. Mund të presim edhe tre muaj.