Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se reforma në drejtësi është në rrugën e saj të mbarë dhe nuk do të ketë asnjë kthim pas pavarësisht pengesave.
Në fjalën e saj në takimin prezantues të dokumentit metodologjik “Monitorimi i Integritetit Gjyqësor”, e para e ministrisë së Drejtësisë përcolli një mesazh të fortë për të gjithë faktorët politikë, të cilëve iu kërkoi që të jenë të bashkuar dhe të lënë ndasitë mes tyre. Për ministren Gjonaj zbatimi i reformës në drejtësi është një ngjarje historike për vendin.
“Zbatimi i Reformës në drejtësi është në një moment vendimtar. Sa e rëndësishme ishte ndërtimi i saj, aq e rëndësishme është edhe zbatimi reformës në drejtësi. Zbatimi i saj, pavarësisht pengesave është në rrugën e mbarë dhe nuk ka kthim pas.
Shqipëria si rrallë herë ndërmori një proces të jashtëzakonshëm për vlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ky është një sukses i vlerësuar së brendshmi, por edhe nga aktorët ndërkombëtar. Pas më shumë se dy vitesh, dy shtyllat kryesore të Drejtësisë janë ngritur mbi baza të shëndosha dhe kjo do të krijojnë një drejtësi për qytetarët. Në këtë proces të ri reformues, vlerësoj maksimalisht rolin e ndërkombëtarëve me ekspertizës që i kanë dhënë zbatimit të reformës në drejtësi. Në këtë proces vlerësojmë edhe rolin e shoqërisë civile.
Ashtu siç janë të mirëpritura kritikat e shoqërisë civile që kryhen për pasjen e një sistemi të denjë drejtësie për qytetarët. Zbatimi i reformës në drejtësi është një ngjarje historike. Kjo është për tu bashkuar dhe jo për të shkaktuar ndasi politike”-tha ajo.