Reforma, SHBA: Byroja e Hetimit si FBI, heton korrupsionin në nivele të larta

POLITIKË


SHBA, një nga partnerët më të angazhuar dhe kërkues në realizimin e Reformës në Drejtësi, përmes një video të publikuar të martën, shpjegon se çfarë është dhe si do të funksionojë  Byroja Kombëtare e Hetimit.

Më herët SHBA publikoi një video ku tregoi se si do të funksiononte SPAK e cila së bashku me BKH do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsionin në nivelet më të larta.

Përmes këtyre video duket se amerikanët po i kthejnë përgjigje të gjithë atyre që reformën në drejtësi e kanë konsideruar si “Ramaformë”, ku nuk mungojnë sulmet e përsëritura të Presidentit Meta, ish vartësve të tij në LSI apo edhe përfaqësues të tjerë të opozitës.

Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë kushtetuese, e cila do të ngrihet si rezultat i Reformës në Drejtësi dhe do të jetë një strukturë e ngjashme me FBI-në amerikanë, ku do të hetohet krimi në nivelet e larta. Hetuesit e BKH do të trajtohen nga FBI në Virxhinia të SHBA-ve, proces që do të mbikëqyret nga një komision ndërkombëtar. Llogaritë bankare dhe telefonat e anëtarëve të BKH do të monitorohen gjatë gjithë kohës për të siguruar se do të kryejnë detyrën e tyre me integritet dhe paanshmëri, duke shmangur kështu çdo lidhje apo blerje nga politikanët për të ndërhyrë në këtë proces të reformës në drejtësi.

 “Çfarë është BKH? Byroja Kombëtare e hetimit është njësia hetimore e SPKA-ut. Në shumë mënyra BKH është e ngjashme me FBI amerikane, e cila heton krime në nivelin e lartë në SHBA. BKH përbëhet nga një drejtor dhe një ekip drejtuesish, të cilët duhet të përmbushin standardet të forta të ngjashme me ato të FBI-së. Kryeprokurori i posaçëm i SPAK-ut dhe dy prokurorë të posaçëm të tjerë do të zgjedhin bashkërisht drejtorin e BKH-së.

Pse është e rëndësishme BKH? Në të kaluarën, cilido me pushtet  dhe para mund të ndikonte në sistemin e gjykatave në favor të tyre. Tani, Kushtetuta i jep SPAK-ut fuqinë dhe pavarësinë për të goditur korrupsionin në nivel të lartë. SPAK dhe BKH do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsionin në nivele të larta dhe prokurorët e posaçëm mund t’i çojnë këto çështje të rëndësishme në gjykatë. SPAK dhe BKH janë këtu për t’u siguruar që askush të mos jetë mbi ligjin.” sqarohet në videon e publikuar nga SHBA.

SHBA edhe më herët ka folur qartë përmes videove të ngjashme ku ka shpjeguar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese , procesin e vettingut apo krijimin  SPAK duke u kujtuar të gjithë politikanëve se Reforma në Drejtësi mban vulën e saj dhe të gjitha akuzat e Metës dhe të opozitës kundër qeverisë dhe të ashtuquajturës “Ramaformë”, nuk janë gjë tjetër, veçse një përpjekje e fundit e tyre për ta shtyrë sa më gjatë realizimin e kësaj reforme.

https://www.facebook.com/usembassytirana/videos/2516793145010062/


Skip to toolbar